Politikë

Opozita ndërpret sërisht seancen plenare

Opozita vë në zbatim skenarin për bllokimin e seancës plenare. Kryefjalë është kërkesa për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, i akuzuar se ka mbrojtur vëllain e dënuar në Itali për trafik droge. Ndjekim Lulzim Bashën, fjalimi i të cilit po transmetohet në “Facebook”, pasi Kryeparlamentari ka ndërprerë seancën, në pritje që deputetët e Opozitës të largohen e të lirojnë foltoren: “E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, Kodi Penal ka rënë, Kodi i Procedurës Penale ka rënë, ligji antimafia ka rënë, ligji i famshëm i vetingut të policisë ka rënë për sa kohë në ato karrige janë të ulur Fatmir Xhafa dhe Edi Rama që janë zbuluar para mbarë shqiptarëve e mbarë botës si hartuesit e zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt në ndihmë të vëllait të tij Agron Geron Xhafaj, të mbulojë komplotin antiligjor dhe antikushtetuese”, tha Basha. Në sallën e Kuvendit, demokratët kanë shpalosur parrullën me mbishkrimin: “Shqipëria si gjithë Europa, jo qeveri e krimit dhe drogës”. Ndërkaq, maxhoranca planifikon të paraqesë sot në Kuvend, raportin e saj mbi gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë 2018.