Showbiz

Arnold Schwarzenegger solidarizohet me Eliza Dushkun

Pak ditë më parë nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, aktorja e famshme me origjinë shqiptare Eliza Dushku ka treguar publikisht se është ngacmuar seksualisht në moshën 12-vjeçare.

Ajo ka treguar historinë e trishtë ku koordinatori i dublantëve, Joel Kramer ka ushtruar dhunë psikologjike si pasojë e ngacmimeve seksuale ndaj aktores së famshme.

Një pjesë e mirë e kolegëve të saj janë solidarizuar me të ndërkohë që edhe dy femra të tjera kanë marrë guximin të akuzojnë publikisht Joel Kramer. Akuza këto që sigurisht ai i ka mohuar.

Arnold Schwarzenegger nëpërmjet një postimi në Twitter ka shprehur keqardhjen dhe mbështetjen e tij ndaj Eliza Dushkut. “Nëse do ta kishim ditur, të gjithë do të kishim bërë diçka. Jam i shokuar dhe i tronditur për Elizën por njëkohësisht jam krenar për të. Krahas faktit që ajo është shumë e talentuar dhe një grua e mrekullueshme, gjithashtu është edhe e guximshme”-ka shkruar aktori i famshëm duke marrë shkas edhe nga postime të tjera.

Joel Kramer ka punuar si koordinator i dublantëve në filmin “True Lies” i vitit 1994 ku Eliza dhe Arnold kanë qënë dy nga aktorët kryesorë.