Basketbollisti Gerti Shima: Kryeministër, eja shemb Pallatin e Sportit se të ndihmojmë

Çfarë e lidh një basketbollist (dhe jo një basketbollist çfarëdo, por kapitenin e Kombëtares së Basketbollit) me botën e televizionit? Ndoshta asgjë… Ndoshta shkathtësia e zhdërvjelltësia në fushën e lojës dhe në të folur, në një studio televizive përpara mikrofonit.

Gerti Shima nuk ishte sot një i ftuar i zakonshëm në “Wake Up”, por së bashku me Isli Islamin, për gati dy orë, provoi të moderonte emisionin e mëngjesit në Top Channel.

Teksa u fut për bukuri nën lëkurën e prezantuesit televiziv, Gerti nuk u shpëtoi edhe disa pyetjeve në lidhje me ekipin kombëtar, gjendjen e tij, por edhe ndeshjet e radhës për para kualifikueset në “Euro Basket 2021”, ku ndeshja e parë është me Bjellorusinë.

Shtatlarti i Kombëtares tha se cilësia e ekipit nuk është ajo e duhura, por këtë situatë e bën edhe më dramatike – tha ai – edhe gjendja e sallave e cila lë shumë për të dëshiruar. Teksa foli për kushtet skandaloze ku stërviten çunat e Kombëtares, ai i drejtoi edhe një thirrje kryeministrit Edi Rama, qeveria e të cilit është angazhuar e gjitha për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Zoti Kryeministër eja shemb Pallatin e Sportit, madje, të japim një dorë ndihmë dhe ne sportistët. Unë i pari dal vullnetar për ta shembur”, tha Shima, duke vënë theksin në kushtet skandaloze ku stërvitet dhe kryen ndeshjen ekipi kombëtar. Kapiteni i Kombëtares u shpreh se prej kohësh basketbollit nuk i është kushtuar vëmendje, ndërkohë që sportistët e karrierës që luajnë edhe me ekipe jashtë e kanë braktisur prej kohësh Kombëtaren për shkak të situatës.

Gerti Shima, kapiten i Kombëtares së Basketbollit, me 20 vjet përvojë, mban mbi supe 40 tituj që nga mosha 15-vjeçare kur edhe nisi të ushtronte pasionin e tij në sport.