Politikë

Bylykbashi: Më në fund 7 ligjet gjetën ‘dritën e diellit’ në Kuvend

Përfaqësuesi i opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi bën me dije se pas dy muajsh miratim, paketa e dytë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor do të kalojë në Kuvend. “Më në fund paketa e dytë e amendamenteve pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me 7 ligjet që u miratuan nga Këshilli Politik me konsensus në korrik, gjeti dritën e diellit në Kuvend edhe pse përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik kishte deklaruar që me 27 korrik se ato ishin depozituar në Kuvend në përputhje me Marrëveshjen e 5 qershorit. Përgjatë dy muajve asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur Marrëveshjen e 14 janarit dhe ate të 5 qershorit”.-ka thënë Bylykbashi.

Bylykbashi thotë gjitashtu se 7 ligjet e miratuara në Korrik duhet të ishin regjistruar në Kuvend por u desh presioni i opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë që të bëhej një gjë e tillë. Sipas tij, Rama nuk i kalonte në Kuvend këto ligje sepse kërkon ndryshimin e rregullave të lojës për 25 prillin. “Ligjet u miratuan në korrik në Këshillin Politik si pjesë e Marrëveshjes së 5 qershorit, por për dy muaj u mbajtën të fshehur në sirtaret e Kuvendit. U desh presioni i Opozitës në Këshillin Politik ditën e martë 22 shtator dhe presioni ndërkombëtar që përfaqësuesit e PS t’i nxirrnin nga sirtari pas dy muajsh fshehjeje dhe t’i regjistronin sot në Kuvend”. 

Ndërkaq ai ka shtuar se: “Njëri ligj i kalon SPAK-ut kompetencën për të hetuar shitblerjen e votës. Një ligj i shtrengon rripat prokurorisë së zakonshme për të goditur krimet e tjera zgjedhore dhe jo t’i tolerojë ato siç ka bërë deri më sot. Një ligj qartëson rolin e policisë në zgjedhje që Kryeministri të mos i japë me urdhër policëve që të bëjnë fushatë për PS. Ligjet e tjera godasin fenomene të tjera që cënojnë zgjedhjet. Të gjitha të miratuara mbi bazën e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik. Por sot, sharlatanet e mazhorancës na i paraqiten sikur janë iniciativat e tyre. Ata kanë vetëm një detyrë tani mbi bazën e Marrëveshjes së 14 janarit: t’i miratojnë këto ligje pa asnjë ndryshim, siç janë miratuar nga Këshilli. Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor. Atij i intereson të ndryshojë rregullat konsensuale të lojës, jo të miratojë rregulla që i lidhin duart më 25 prill 2021 atij dhe kriminelëve qe ka pas. Sado që të perpiqet, më 25 prill 2021 Edi Rama ka takim me fundin e tij politik”-ka deklaruar Bylykbashi.