Bota

Erdogan ul tonet: T’i zgjidhim keqkuptimet me urtësi

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, po ndryshon strategji sa i takon mosmarrëveshjeve me Greqinë, mbi kërkimet në Mesdheun Lindor. Në dy postime në “Twitter”, Erdogan shkruan për zgjidhje diplomatike mbi situatën e krijuar, duke ulur tonet e lënë mënjanë demonstrimin e forcës. Sipas tij, “Turqia do të vazhdojë t’i zgjidhë keqkuptimet me urtësi e mënyrë të kulturuar, duke marrë parasysh çdo kërkesë të sinqertë, me qëllim që t’i japë diplomacisë më shumë hapësire për zgjidhje nga të cilat të gjithë të dalin të fituar”. Postimet pasojnë thirrjen e presidentit francez, Macron, që Ankaraja të ulet në tryezë për dialog.