Europa si shumë vende të tjera, po heq një nga një masat kufizuese të Covid-19

Në Europë, ku pandemia koronavirus duket nën kontroll, gjithnjë e më shumë vende po heqin një nga një masat kufizuese. Në Spanjë, disa plazhe u lejuan të hapen dhe po ashtu, tarracat e bareve në Madrid e Barcelonë. Nga sot, në Itali sportistët u rikthyen në pishina e në qendrat sportive. Në Greqi, një e treta e bareve dhe restoranteve që shërbejnë jashtë do të presin klientët pas më shumë se dy muajve mbyllur. Gjithashtu, autoritetet greke do të njoftojnë rihapjen e shkollave fillore nga 1 Qershori.

Edhe Britania e Madhe konfirmoi planin për lehtësimin gradual të masave anti-koronavirus, me një rihapje të pjesshme të shkollave më 1 Qershor. Në Islandë, diskotekat, baret e sallat e sporteve u rihapën sot. Në Republikën Çeke u autorizua rihapja e restoranteve, bareve, hoteleve, kopshteve zo’ologjike, pishinave e shkollave fillore. Vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme, përveçse në dyqane dhe në mjetet e transportit publik.

Në Gjermani, shumica e restoranteve u hap sot, po ashtu disa hotele në zona turistike, por thuajse të gjitha baret vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur. Kontakti i ngushtë mbetet i kufizuar për anëtarët e dy familjeve në një kohë. Europa, ku nga koronavirusi kanë humbur jetën mbi 173 mijë persona, vazhdon me kujdes të rikthehet në normalitet. Ndërkohë, SHBA-të po i afrohen pragut prej 100 mijë viktimash. Gjithashtu, më shumë se 40 mijë vetë humbën betejën me sëmundjen në Amerikën Latine e Karaibe.