Bota

Koreja e Veriut kërkon ndihma ushqimore nga OKB-ja

Koreja e Veriut i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara (OKB) ndihmë për të zgjidhur mungesat e saj kronike të ushqimit, që kërcënojnë elementet bazike për jetesën e popullit koreanoverior. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se “Shifrat nga Pheniani tregojnë një mangësi prej 1.4 milionë ton në prodhimin e ushqimit këtë vit, duke përfshirë të mbjellat e orizit, grurit, patateve dhe sojeve”.

Sipas shifrave të OKB-së, të paktën “10.5 milionë koreanoverior ose 41% e popullsisë së saj kanë nevojë për ndihmë ushqimore. Thirrja për ndihmë e Koresë së Veriut vjen para takimit të dytë midis udhëheqësit të këtij vendi, Kim Jong Un me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është planifikuar të zhvillohet në Hanoi të Vietnamit më 27-28 shkurt. Pheniani që nga viti 2006 përballet me sanksione të rënda të OKB-së, për shkak të testeve me armë bërthamore duke shkelur normat ndërkombëtare.