Bota

Kriza në Venezuelë, ushtarët braktisin detyrën në kufirin me Kolumbinë

Ushtarët e Rojes Kombëtare të Venezuelës kanë braktisur postet e tyre, në vazhdën e një përpjekjeje të udhëhequr nga opozita për të lejuar hyrjen e ndihmave në vend. Sipas raportimeve, trupat venezuelase kishin përdorur gazin lotsjellës mbi personat që kërkonin të kalonin në Kolumbi për të punuar. Tensionet janë rritur ndjeshëm për shkak të përplasjes për ndihmat humanitare. Nicolas Maduro ka mbyllur pjesërisht kufirin me Kolumbinë, por presidenti i vetëshpallur Juan Guaido ka premtuar se qindra e mijëra vullnetarë do të ndihmojnë në futjen në vend të ndihmave që përmbajnë ushqime dhe ilaçe. Ndërkaq mediet kanë raportuar për njerëz që hidheshin mbi barrikada për të kaluar kufirin mes Venezuelës dhe Kolumbisë, ndërsa deputetët e opozitës kanë postuar mesazhe sfiduese duke denoncuar përdorimin e forcës. Guaido i kërkoi ushtrisë të lejonte hyrjen e kamionëve me ndihma, duke u kërkuar të renditeshin përkrah popullit. Ai konfirmoi se disa pjesëtarë të Rojes Kombëtare kishin braktisur vendqëndrimet në urën ndërkombëtare “Simon Bolivar”, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare. Më herët, dy persona u vranë nga forcat venezuelase afër kufirit me Brazilin.