Politikë

Lumi Vjosa/ Rama për Metën: Nuk ka leje për projekte HEC-esh

Kryeministri Rama konfirmon se nuk do të ketë ndërtime hidrocentralesh mbi lumin Vjosë. Në një postim në rrjete sociale, shefi i qeverisë shpjegon se Ministria e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme.

Kryeministri theksoi se “qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme”. “Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur me kohë”, tha Rama.

Rama ironizon edhe deklaratën e presidentit Meta që u shpreh për krijimin e një Parku Kombëtar dhe jo për diga: “Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen”, tha Rama.