Politikë

Meta: Akti i sotëm i ndryshimit të Kushtetutës, antikushtetues dhe i papranueshëm!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se “Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm e me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar është antikushtetues dhe i papranueshëm!”. Për atë që e quan “ndryshim të dhunshëm të Kushtetutës”, Meta thekson se “Asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit e të 5 Qershorit që mundësuan një proces e produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend e procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.Në reagimin pas votimit në Kuvend, kreu i shtetit nuk kursen as ndërkombëtarët. “Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës e projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane”. Ndërkaq, paralajmëron se “Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”. Në një postim në rrjetet sociale thekson se “Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre”. Sipas kreut të shtetit, “Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë”. “Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund”, – nënvizon presidenti Meta.