Politikë

“Mini Shengeni Ballkanik” mbrenda 2021-it

Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut zotohen që deri në fund të vitit 2021, Mini Shengeni Ballkanik të jetë realitet. Në Novi Sad, kryeministrat Rama e Zaev dhe mikpritësi Vuçiç nënshkruan deklaratën e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve e shërbimeve. Vuçiç theksoi se “Synohet që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e tyre, të kalojnë kufijtë e të tre vendeve me karta identiteti”. Detajet me masat më konkrete zbatuese do të jepen në takimin e ardhshëm, i planifikuar për më 10 Nëntor në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Nga Novi Sadi, kryeministri Rama deklaroi se “Çështjet e hapura mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”. Sipas shefit të qeverisë shqiptare, “Synimi që i bashkoi në këtë format ka rëndësi të madhe”. Kryeministri Rama iu bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen në këtë nismë. Ndërkaq, homologu i tij maqedon Zaev e vuri theksin te përpjekjet që duhen bërë për përafrimin ekonomik.