Rajoni

Nasim Haradinaj: “EULEX nuk na konsideron njerëz”

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj ka folur para gazetarëve rreth arrestimit dhe dërgimit në Hagë të kryetarit të kësaj organizate Hynsi Gucati dhe bastisjeve në zyrat e tyre. Haradinaj ka thënë se kjo bastisje i shtynë të mendojnë se në Kosovë nuk ka shtet, nuk ka parlament dhe as Kushtetutë.

“Unë mbërrita para një gjysmë orë, isha në mbledhje. Unë nuk e njoh këtë gjykatë. Ne nuk njohim këtë gjykatë. Kjo ditë troket në të gjitha dyert e qytetarëve të Kosovës dhe na bën të mendojmë a kemi shtet? A kemi parlament? A kemi kushtetutë? A ka të drejtë të hyjë dikush në zyrë pa trokitur? EULEX nuk na konsideron njerëz. Nuk na respekton”, tha Haradinaj para gazetarëve. Ai ka shtuar se kjo Gjykatë nuk është e Kosovës edhe se OVL e UÇK-së nuk e njeh.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale është dashur t’i ruaj arkivat e veta sepse ata nuk u’a kanë marrë dosjet. “Ne me dhunë nuk ja kemi marrë. Koha do të tregojë se kush ka të drejtë. Lirinë do ta fitojmë atëherë kur asnjë i huaj nuk do të ndërhyjë në drejtësinë tonë. Unë gjykatave nuk i përgjigjem. Le të më arrestojnë. Asnjë rezistencë nuk kemi për të bërë por nuk do ta pranojmë”- tha ai. Ai ka shtuar gjithashtu se nuk ka nevojë për rezistencë por se e gjitha bota do të qesh me ata që thonë se në Kosovë ka shtet.