Politikë

Ndërkombëtarët zbarkojnë në Tiranë!

Ndërkombëtarët zbarkojnë në Tiranë. Vizitat i çeli Florian Hahn. Zëdhënësi për Europën në Grupin Parlamentar të CSU-së në Bundestagun Gjerman takoi dje Kryeministrin Rama, Kryedemokratin Basha, ish-Ministren e Integrimit, Bregu, e zgjedhur në krye të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, si dhe anëtarë të organeve të Vetting-ut në Drejtësi. Ndërkaq, të shtunën, në ditën e protestës së Opozitës për të kërkuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, në Tiranë vjen zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Pete Marocco.  Zyrtari i Uashingtonit merr pjesë në Konferencën mbi problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kjo konferencë organizohet nga një grup deputetësh të majtë e të djathtë të Kuvendit të Shqipërisë.

Axhenda ndërkombëtare e 26 Majit, përfshin dhe vizitën në vendin tonë, të një delegacioni të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Pas takimeve me drejtues të institucioneve, anëtarët e tij, gjithashtu do të zhvillojnë bisedime me Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Ndërkaq, të martën e ardhshme, më 29 Maj, në Shqipëri vjen dhe Sekretari i Përgjithshem i OSBE-së, Thomas Greminger, për takime me drejtuesit më të lartë të shtetit.