Showbiz

Një koncert virtual dhe 35 milionë dollarë për OBSH, kjo është ndihma e Lady Gaga për pandeminë

Këngëtarja e famshme Lady Gaga ka surprizuar të gjithë pasi me famën dhe pushtetin e saj arriti të grumbullojë plot 35 milion dollarë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë për luftën kundër Koronavirusit.

Vetëm për 7 ditë Gaga arriti të influencojë dhe të nxisë shumë personazhe të famshëm dhe të pushtetshëm që të dhurojnë para për fondacionin e ngritur nga vetë ajo. Paratë e mbledhura do të jenë një ndihmë më shumë për luftën kundër pandemisë.

34-vjeçarja gjithashtu do të mbajë një koncert virtual në kuadër të partneritetit me Global Citizen për të treguar të gjithë kurajon dhe durimin që gjithësecili prej nesh ka treguar në këtë periudhë të vështirë të distancimit social.

Koncerti do të transmetohet më 18 prill në platforma të ndryshme dhe do të përfshijë edhe këngëtarë të tjerë të njohur si Billie Eilish, Elton John, Chris Martin, Paul McCartney, Stevie Wonder dhe Lizzo.