Aktualitet

Panairi i ndërtimit, Veliaj: Ndërtimi punëdhënësja më e madhe pas tërmetit!

Në Edicionin e 2-të të Panairit të Ndërtimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj doli në mbrojtje të ndërtuesve. Gjithashtu deklaroi se me fondet që do të vijnë nga Brukseli do të ndërtohen më shumë shkolla, kopshte e çerdhe të dëmtuara nga tërmeti. Veliaj tha se industria e ndërtimit është punëdhënësja më e madhe që pas tërmetit të 26 Nëntorit. Sipas tij, kontribuon 10 herë më shumë e për herë të parë, 3% e ndërtimit ose vlerës ekuivalente, shkon për banesat sociale. Sipas Veliajt gjithashtu, tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi më shumë dëme tek objektet e ndërtuara me punë vullnetare gjatë viteve ‘70-’80 dhe tek ato zona ku nuk mund të ndërtohej. “Gjithë ky llum dhe baltë hidhet mbi një nga industritë që është ndoshta nga më të rregulluarat. Siç provoi tërmeti, u dëmtuan 2 kategori banesash: ndërtimet e viteve ‘70-’80, që u ngritën me punë vullnetare, dhe tahmanë e dikujt që ndërtoi në rërë, që mori leje për dy kate dhe ndërtoi 8 në vitin e rrumpallës. Por, tërmeti nuk dëmtoi ndërtimet serioze, të viteve të fundit”- ka thënë Veliaj.