Politikë

Rama: Opozitës i ofrojmë dialog, por jo zgjedhje të parakohshme!

Kryeministri Edi Rama komentoi pak minuta më parë në një konference për mediat, zhvillimet më të fundit në kampin opozitar dhe dorëzimin e mandateve nga deputetët e opozitës. Rama tha se është i gatshëm për dialog, por mandati qeverisës nuk ndërpritet dhe se nuk ka zgjedhje të parakohshme paralamentare. “Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare, e dëmshme për jetën politike, kjo është një zgjedhje destruktive, fatkeqësia e këtij vendi që goditet nga bijtë e vetë. Kjo mund të rezultojë fatale për celjen e negocatave këtë vit ashtu si pamjet e turpshme të së shtunës që bënë xhiron e botës. Nuk jam për të fajësuar opozitën aspak, nuk jam i qetë që opozita sot është kthyer në shqetësim real për partnerët tanë SHBA dhe BE”.

Ndër të tjera shefi i qeverisë deklaroi se: “Jemi gati të ulemi e të dialogojmë për të mirën e demokracisë së vendit. Ajo që i shërben demokracisë nuk është as dhuna ndaj institucioneve, as implikimi me dhunë, ato e dinë se humbjen e zgjedhjeve e kanë të pashmangshme, sovrani nuk është ai që del në rrugë por ai që del në zgjedhje”. Gjithashtu Rama është shprehur se mazhoranca do të vazhdojë të punojë, duke shërbyer me përulësi njerëzve cilado partie qofte.

“Detyra jonë është të veprojmë drejt me të drejtën që na kanë dhënë qytetarët me votën e tyre, ndërsa qytetarët demokrat nuk i përfaqëson sot askush më. Kjo shumicë qeverisëse do të vijojë punën për Shqipërinë jo sikur s’ka ndodhur asgjë por më me përgjegjësi ndaj asaj që ka ndodhur. Dallimi nga sot është se ato që ikën do të bëjnë çmos që të përçajnë ne do të vazhdojmë rrugën tonë.”