Rajoni

Reagime për projektligjin “Për Vlerat e Luftës së UÇK-së”

Serbia i bashkohet kritikave të ndërkombëtarëve mbi projektligjin “Për vlerat e luftës së UÇK”-së që shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës. Drafti i propozuar nga Partia Demokratike përcakton detyrimin institucional e qytetar në mbrojtje të këtyre vlerave. Presidenti Aleksandër Vuçiç shprehu shqetësimin se përmes tij ndalohet mendimi ndryshe e shtoi se përbën vazhdim të provokimeve ndaj serbëve të Kosovës. Vuçiç deklaroi se shqetësimet ia shprehu të Dërguarit të BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett shprehu shqetësimin se projektligji “Për mbrojtjen e vlerave të UÇK”-së, rrezikon të minojë lirinë e shprehjes, sipas tij, duke krijuar precedent të rrezikshëm. “Penalizimi i kritikës ndaj çdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm drejt autoritarizmit”, – theksoi Kosnett. Ndërkaq, vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë kundër UÇK-së dhe se e kuptojnë se Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur pa përpjekjet e saj.