Lifestyle

Rritja e vazhdueshme e femrave. Shpejt, në “kupolën” e botës

Kush e udhëheq botën? Shpejt mund të jetë një femër, pasi një grup ekonomistesh femra i janë bashkuar shefes së FMN-së, Christine Lagarde, në pozicione kyçe në organizmat kryesorë financiarë.

Ndërsa FMN dhe Banka Botërore u bënë bashkë këtë javë në Bali, Lagarde nuk ishte më ajo figurë femërore e vetmuar që ishte dikur. Tani rrethohej nga një numër në rritje ministresh femra të Financave apo Ekonomive.

FMN sapo ka përzgjedhur Gita Gopinath, si zëvendësuese të kryekonomistit në largim, Maurice Obstfeld, duke e bërë atë të parën grua në këtë post. 46-vjeçarja Gopinath, një pedagoge e respektuar ekonomie në Harvard dhe botuese e një reviste ekonomike prestigjioze, ka gjasa të sjellë një perspektivë të re në institucion dhe me gjasa të sfidojë pozicionet e hershme të tij.

Gopinath është vetëm gruaja e fundit që është emëruar në një rol të rëndësishëm ekononomik, me Bankën Botërore që në prill zgjodhi pedagogen e “Yale”-it, Pinelopi Koujianou Goldberg, si kryeekonomisten e saj.

Në qershor, ndërkohë, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim “OECD” zgjodhi Laurence Boone, ish-këshilltare e presidentit francez Francois Hollande, si kryeekonomiste. Në Bali, tendenca e re u shpalos qartë dhe dukshëm, me ministret femra të Financave, bankieret dhe ekonomistet e shumta mes folëseve dhe audiencës.

Femrat kanë mbajtur pozicione kyçe në bankat qendrore të Afrikës së Jugut dhe Izraelit mes të tjerësh. Janet Yellen ishte drejtoresha e Rezervës Federale amerikane nën presidentin Barack Obama, gjë që e bëri atë një nga figurat me më shumë ndikim në botë në politikat monetare, e trendi me sa duket po vjen në rritje.