Aktualitet

Situata me e fundit e kalimit të rrugëve në vend

Nga rreshjet e borës, në rajonin e Korçës kalohen me zinxhirë rrugët në pikat turistike të Dardhës e Voskopojës, po ashtu në Qafën e Qarrit. Në Kapshticë ra borë, por qarkullimi kryhet normalisht. Edhe Përmeti në orët e para të mëngjesit u zgjua nga rreshjet e borës, që gjithashtu ranë në Qafën e Llogorasë, por ishin të dobëta e qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.

Dëborë ka rënë dhe në Qarkun e Beratit duke krijuar probleme në zona rurale të Skraparit e disa fshatra të Njësisë Administrative Sinje në Berat. Sipas autoriteteve, rrugët që kalohen me zinxhirë janë në Qafë-Dëvri, Çepan, si dhe Paftal e Velçan. Njëherazi po punohet për të shmangur rrëshqitjet e automjeteve. Ndërkaq, në disa fshatra të Skraparit ka patur shkëputje për disa orë të energjisë.

Në Bulqizë, rreshjet e dëborës janë shoqëruar sot me erë të fortë dhe temperatura të ulëta deri në minus 8 Gradë Celsius. Situata po vështirësohet në shumë rrugë nacionale e rurale për shkak të erës së fortë e rreshjeve të dëborës. Më problematike paraqitet në Qafë të Buallit-Fushë Bulqizë, te vendi i quajtur “Gurët e Skënderbeut”.