Aktualitet

Tensione në Shkodër

Shkodra është sot molla e sherreve politike. Ndërsa për në këto çaste prefekti ka thirrur mbledhjen e konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, Opozita proteston. Mbështetës të saj, të drejtuar nga ish-deputeti demokrat Bardh Spahia u mblodhën para Prefekturës, për të marshuar drejt godinës së Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” ku zhvillohet konstituimi. Spahia tha janë kundër asaj që e cilësoi “farsë të nisur më 30 Qershor”.  Kryetarja aktuale demokrate Voltana Ademi shprehet se do të qëndrojë në detyrë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Por, presidenti Meta nuk dekretoi një datë për Shkodrën duke i mbetur 13 Tetorit, të vendosur më herët prej tij për votimet lokale në të gjithë vendin.