Showbiz

Top Awards: Ja pse koncerti i “Digitalb” ishte më i madhi i organizuar ndonjëherë

Digitalb siç kishte premtuar solli të hënën në mbrëmje në sheshin Skënderbej atmosferën më të zjarrtë të këtij viti, dhe jo vetëm. Një maratonë e vertetë që zgjati më shumë se 7 orë të mbushur si pak herë më parë e me të pranishëm yjet e skenës muzikore të Shqiptarisë.

Spektaklin e nisi Luana Vjollca që prezantoi live dhe eksluzivisht hitin e saj me yllin ndërkombëtar të muzikës Faydee. Atmosfera vazhdoi e zjarrtë me Soni Malaj e cila veç performancës me trupën e baletit solli surprizë Agon Amiga dhe Daim Lala. Në skenë u ngjitën më pas Young Zerka, Ronela Hajati dhe pas kohësh mungese Vedat Ademi. Po ashtu Jericho sollën atmosferën rock me tingujt e këngeve të tyre të ngjyrosura kuq e zi. Skena u ndez nga Kida e cila këndoi hitet më të njohura me publikun që këndonte njëzëri me të. Digitalb prezantoi në shesh edhe Promon më të re, një realizim shpërthyes, me sloganin “Vazhdo të ëndërrosh” Dritan Shakohoxha i cili gjithashtu ndante ditëlindjen me Digitalb mes fishekzjarreve që çanë qiellin e kryeqytetit ftoi në skenë një tjetër artist me një përvjetor artistik, edhe ai bënte 15 vjeç sa Digitalb – Alban Skënderaj. Publiku vazhdoi të kërcente dhe këndonte pavarësisht orëve që kalonin në shesh me Tayna, Mc Kresha & Lyrical Son, Yll Limani dhe bishën e skenës Aurela Gaçe. Nuk do të kishte kuptim festimi i Digitalb pa himnin e dytë të kombit “Kuq e Zi je ti” me divën Elvana Gjata e cila solli edhe hitet e saj më të reja me një performancë rrënqethëse. Festën e 15 vjetorit e mbylli Ledri Vula i cili e mbajti sheshin në ajër deri në orët e para të mëngjesit, duke mbyllur kështu festimet e gjata të 15 vjetorit të kompanisë mediatike më të dashur të Shqiptarëve anë e kënd globit.

Sheshi “Skënderbej” ka parë shumë koncerte por ndoshta kurrë më parë një ngjarje muzikore nuk i ka bashkuar shqiptarët kaq shumë në numër si të hënën e 15 korrikut. Përveç atij viti jo fort të largët mbi një dekadë më parë, kur shqiptarët masivisht nën logon e Top Channel, me audiencë absolute, u mblodhën për të mbrojtur fjalën e lirë të medias që rrezikohej nga dhuna e pushtetit…

Qysh prej asaj kohe, në një maratonë festimesh që nisi në orën 6 pasdite, për t’u mbyllur në 1 pas mesnate dhe me disa nga zërat më modernë të muzikës shqiptare, 15-vjetori i Digitalb e populloi sheshin me një publik që i përfaqësonte të gjithë brezat e me gjasë të gjitha ngjyrat, edhe ato politike…

Shqiptarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej”, por jo vetëm, e kuptojnë këtë ndaj ishin të shumtë në numër sepse e ndien që oferta e Digitalb, nuk ishte e rreme por një qasje e sinqertë për të festuar të lirë/falas, së bashku si një shenjë mirënjohje dhe jo një vjedhje të pjesëmarrjes për protagonizëm.

Koncerti i “Digitalb”, jo vetëm që organizoi një maratonë të gjatë dhe ngjiti në skenë artistë të njohur të Shqipërisë e Kosovës si Aurela Gacce, Ledri Vula, Elvana Gjata, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Soni Malaj e të tjerë, por ishte njëmend falas. Mbrëmjen e së hënës komunikimi ishte mes artistëve dhe publikut, të cilit i dedikohej një mbrëmje falënderimi, që e kanë pranuar platformën televizive si pjesë të familjes.

Në koncertin e 15 –vjetorit kishte nga ata që ashtu si platforma televizive kanë lindur në vitin 2004, nga ata që përjetuan dhe përjetojnë emocionet e sportit, ithtarët e muzikës, të pasionuarit pas filmave artistikë, kureshtarët e historisë, të eturit për shkencë, por edhe ata që e kanë mësuar shqipen standarde nga filmat e dubluar…pasi në një dekadë e gjysmë “Digitalb” ka hapur një dritare për të gjitha shijet në shtëpinë e madhe të programeve.

Koncerti i së hënës ishte kulmimi i një nisme që kapërceu përtej biznesit për t’u kthyer në mision. Digitalb i ka bërë shqiptarët të ndihen të bashkuar, edhe pse të shpërndarë nëpër botë.

Nëse rrëzimi i regjimit komunist dhe mbërritja e pluralizmit politik prodhoi emigracionin më të madh që ka njohur historia e Shqipërisë me më shumë se 1 milionë të larguar prej fillim viteve ’90, u desh një platformë si “Digitalb” për të zgjuar ndjenjën e identitetit, të përkatësisë, për ta ndjerë më afër vendin tënd, si të mos ishe larguar kurrë. Tokësore apo satelitore apo edhe aplikacion telefonik, platforma televizive ia ka dalë të bashkojë shqiptarët, jo vetëm para ekranit por përpara një ndjenje përkatësie, të cilën as një forcë politike nuk mund ta sjellë aq të plotë e unifikuese.

Në 15 vite jetë, mund të thuhet se “Digitalb” e kreu misionin e tij për t’i bashkuar shqiptarët, ashtu si edhe mbrëmjen e së hënës në sheshin “Skënderbej”, duke ofruar një koncert ku të gjithë ishin në qendër të vëmendjes e jo të përjashtuar. Ndaj, Gëzuar ditëlindjen Digitalb!