Aktualitet

Vendimi mbi negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në pritje të lajmeve nga Luksemburgu

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin sot lajmet nga Luksemburgu, ku prej 4 orësh janë mbledhur Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit Europian për të dhënë një vendim mbi negociatat. Çelja ose jo e bisedimeve është mes çështjeve në diskutim, krahas Brexit-it. Pjesa më e madhe e anëtarëve të Unionit, me në krye Gjermaninë janë në favor të fillimit të negociatave me Tiranën e Shkupin, por kjo nuk vlen për Francën që ka bërë të qartë se më parë kërkon reformim të procesit të Zgjerimit. Ndërkaq, burime diplomatike thonë se vende si Holanda, Danimarka e Spanja janë të gatshme për një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut, jo për Shqipërinë. Një qëndrim ky që nuk ndahet nga Komisioni Europian e shtete të tjera të Bllokut që mendojnë se do të ishte i gabuar veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria.