Politikë

Vijon punimet Konventa Kombëtare e PD-së

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë vijon punimet Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike për të zgjedhur Këshillin Kombëtar. Në listën me 352 kandidatë, nga të cilët duhet të zgjidhen 100 anëtarë, nuk janë Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ritvan Bode e Genc Ruli, të njohur si kundërshtarë të lidershipit të PD-së. Ndërkaq, Jozefina Topalli është automatikisht pjesë e Këshillit, për shkak të funksionit që ka patur si Kryetare e Kuvendit. Po ashtu, bie në sy rikthimi i Gazmend Oketës e Aleksandër Biberajt, të larguar vite më parë, për t’iu bashkuar FRD-së së Bamir Topit. Ndërsa Selia Blu është në fazën përfundimtare të ristrukturimit të saj, zgjedhja e Këshillit i hap rrugë asaj të nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm e Kryesisë së Partisë Demokratike. Votimi për anëtarët e Këshillit Kombëtar, u parapri nga një fjalë e gjatë e Kryedemokratit Basha, i cili tha se PD-ja nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma, përveçse përmes zgjedhjeve. Basha tha se për të rrëzuar Ramën nga pushteti nuk ka nevojë për dhunë. Sa i përket kritikëve, Basha deklaroi se PD-ja është e hapur për kontributin e kujtdo, por se kontribut nuk do të thotë të kesh post në Selinë Blu.