Bota

Virusi “Ebola” në Kongo, mbi 300 viktima

Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur nga epidemia e Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Sipas një njohtimi të Ministrisë së Shëndetësisë prej kësaj epidemie kanë vdekur 303 njerëz, ndërkaq 179 janë shëruar, duke përfshirë edhe një foshnje. Kjo është epidemia e dhjetë e kësaj sëmundje që nga viti 1976. Në epideminë e parafundit humbën jetën 33 njerëz. Në vitin 2013 në Afrikën perëndimore vdiqën më shumë se 11 mijë e 300 njerëz. Ebola është një lloj sëmundje e etheve hemoragjike dhe është ngjitëse. Simptomat e kësaj sëmundje shoqërohen me dhimbje të muskujve, kokës dhe trupit, rritje të temperaturës dhe ndonjëherë edhe gjakderdhje.