Film & Tv

“Alice in Borderland” drejt fundit? Netflix lë të kuptohet se sezoni i tretë do të jetë…

Netflix ka lënë të kuptohet se sezoni i tretë i serialit japonez fantastiko-shkencor “Alice in Borderland” mund të jetë i fundit, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për përfundimin e tij.

Sipas raportimeve të The Independent, ky informacion ka qarkulluar disa muaj pasi sezoni i ri u bë i disponueshëm për publikun.

Seriali ndjek historinë e një të riu të fiksuar pas video-lojërave, i cili së bashku me miqtë e tij përfundon i bllokuar në një version të zbrazët dhe surreal të Tokios, ku detyrohen të marrin pjesë në lojëra vdekjeprurëse për të mbijetuar.

Që nga publikimi i parë në dhjetor 2020, “Alice in Borderland” ka njohur një sukses të madh global dhe është kthyer në një nga serialet japoneze më të ndjekura në platformë.

Sipas të dhënave të Netflix-it, sezoni i tretë ka regjistruar rreth 25 milionë shikime dhe është përshkruar si një sezon përmbyllës, çka ka shtuar dyshimet se historia po shkon drejt fundit. Megjithatë, platforma nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi mbylljen përfundimtare të serialit.

Fansat në rrjetin social X pretendojnë se seriali ishte planifikuar që në fillim të përfundonte me sezonin e tretë, pasi ngjarjet e tij përputhen me mbylljen e mangës origjinale, mbi të cilën bazohet historia.

Në “Alice in Borderland” luajnë aktorë të njohur japonezë si Kento Yamazaki, Tao Tsuchiya dhe Nijiro Murakami. Seriali shpesh është krahasuar me hitin koreano-jugor të Netflix-it “Squid Game”, për shkak të tematikës së lojërave të dhunshme dhe luftës për mbijetesë. Sipas kritikes Annabel Nugent nga The Independent, ndonëse të dy serialet kanë ngjashmëri, “Alice in Borderland” është më i orientuar drejt fantashkencës, duke eksploruar më thellë marrëdhëniet njerëzore, tradhtinë dhe sakrificën.

Manga origjinale “Alice in Borderland” u botua nga viti 2010 deri në 2016, përfshin 18 vëllime dhe u adaptua fillimisht si animacion, përpara se Netflix ta sillte në ekran në formatin e serialit live-action.