Aktorja Amy Madigan është shpallur fituese e çmimit Academy Awards për Aktren më të Mirë në Rol Dytësor, duke shtuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj të gjatë në kinematografi.
Madigan ka qenë e nominuar dy herë për çmimin Oscar gjatë karrierës së saj. Nominimi i parë erdhi plot 40 vite më parë, në vitin 1985, për interpretimin e saj në filmin Twice in a Lifetime. Pas dekadash pune në industrinë e filmit dhe televizionit, ajo rikthehet në qendër të vëmendjes me këtë fitore të rëndësishme.
Çmimi i këtij viti vjen falë interpretimit të saj në rolin e hallës Gladys në filmin Weapons, një personazh i frikshëm, kompleks dhe shumë i komentuar nga kritika dhe publiku. Për këtë rol, Madigan kishte fituar më herët edhe çmime të rëndësishme si Critics Choice Award dhe Screen Actors Guild Award, duke forcuar pritshmëritë se mund të triumfonte edhe në Oscar.
Aktorja është gjithashtu e njohur për pjesëmarrjen e saj në disa prej filmave më ikonë të viteve ’80, mes tyre Field of Dreams dhe Uncle Buck, të cilët kanë mbetur klasikë të dashur për publikun ndër vite. Fitorja e saj në ceremoninë e këtij viti përfaqëson jo vetëm një vlerësim për interpretimin në “Weapons”, por edhe një njohje të kontributit të saj të gjatë dhe të rëndësishëm në botën e kinemasë.