Aktualitet

Armiku më i madh në punë? Vetja jonë, por ç’mund të bëjmë?

Nga Nir Bashan, psikolog i kreativitetit

Armiku në tavolinën e punës mund të jeni vetë ju. Atëherë, çfarë mund të bëni?

Jennifer Smith ishte kolegia ime për vite me radhë. Edhe pse ky nuk është emri i saj i vërtetë, historia e saj është krejt reale.

Ajo ishte një person me rezultate shumë të larta në punë. Një mbrojtëse e palodhur e klientit. Një komunikuese shumë e mirë. Mbaj mend një klient që tha se ajo ishte një nga shitëset më të mira të kompanisë dhe se kishte ndryshuar perceptimin për kompaninë falë eksperiencës së punës me të.

Pra, natyrshëm, duhet të ishte një “yll”, apo jo? Të promovohej shpejt në role drejtuese dhe më tej?

Jo.

Ajo ishte armikja më e madhe e vetes.

Jennifer kishte një mendësi të ngurtë, ku opinionet dhe bindjet e saj rrallë ndryshonin. Vendoste objektiva tepër të larta, shpesh të pamundura për t’u arritur. Dhe mbi të gjitha, çdo gjë e merrte personale, duke menduar se ekzistonin forca të padukshme që komplotonin kundër saj.

Kohët e fundit kam menduar shumë për Jennifer, sepse prirjet e saj nuk janë aspak të rralla. Përkundrazi, ato hasen shpesh në vendin e punës dhe në momente të caktuara të karrierës, shumë prej nesh mund të jenë ndier njësoj.

Kjo më bëri të reflektoj mbi mënyrën si shpesh bëhemi armiku ynë më i madh dhe çfarë mund të bëjmë për ta ndryshuar këtë.

Ja tre mënyra praktike për të dalë nga rruga e vetes dhe për t’u rikthyer në një trajektore suksesi:

Bëjeni mendësinë më fleksibël

Adoptimi i një mendësie të orientuar drejt zgjidhjes së problemeve mund t’ju ndihmojë të hiqni veten dhe emocionet personale nga ekuacioni dhe të përqendroheni te problemi konkret.

Shumica e sfidave në vendin e punës sot lidhen me aftësinë për të gjetur mënyra të reja dhe krijuese për zgjidhjen e problemeve.

Por kur mendësia jonë ngec, ne nuk rritemi. Nuk arrijmë të zgjidhim problemet. Dhe nuk mund të shpresojmë të kalojmë në nivelin tjetër.

Një mendësi fleksibël, përkundrazi, krijon mundësi për rezultate më të mira.

Kur nuk përshtatemi dhe lejojmë që ankthi të depërtojë në vendimet tona në punë, përfundojmë në një betejë të brendshme “unë kundër vetes”, një betejë që nuk mund ta fitojmë.

Prandaj, lëreni fleksibilitetin të zhvillohet.

Legjenda e hokejit Wayne Gretzky thoshte se humbasim 100% të goditjeve që nuk i provojmë kurrë.

Prandaj provo.

Do të gabosh. Do të dështosh. Por herë pas here topi do të përfundojë në rrjetë.

Dhe aftësia për të mësuar nga një mendësi fleksibël forcohet gjithnjë e më shumë sa më tepër të heqim dorë nga frika dhe t’i besojmë procesit.

Vendosni objektiva të arritshëm

Objektivat e pamundura dhe standardet e paarritshme nuk na ndihmojnë të përballemi me veten si armiku ynë më i madh.

Ne kapemi pas objektivave tepër ambicioze, që janë shumë të vështira për t’u arritur dhe, kur nuk i arrijmë, ndihemi të dështuar.

Fajësojmë veten.

Kjo krijon një zinxhir ngjarjesh që dobëson edhe më shumë aftësinë tonë për të zgjidhur probleme dhe shton negativitetin, duke e përkeqësuar situatën.

Nokia, dikur kompania më e madhe e telefonave në botë, u kap e papërgatitur nga revolucioni i smartphone-ve.

Në përpjekje për të rikuperuar terrenin, kompania filloi të vendoste objektiva jorealiste. Punonjësit nisën të kishin frikë të raportonin lajme negative dhe kompania mbeti e bllokuar mes pritshmërive të pamundura dhe frikës së brendshme.

Në fund, ky tension çoi në rënien e biznesit të saj të telefonisë.

Prandaj, vendosni objektiva të arritshme në hapa të vegjël, atë që autori e quan “fitore të vogla”.

Nëse gjatë javës së punës krijojmë objektiva të vegjël që mund t’i arrijmë lehtësisht, ndërtojmë gradualisht energjinë dhe ritmin e një ekipi fitues.

Dhe më pas bëhemi të aftë të përballojmë sfida më të mëdha.

Vendosja e objektivave realistë ndihmon punën të ecë përpara.

Vendosja e objektivave tepër të larta mbyt kreativitetin dhe inovacionin.

Mos e merrni çdo gjë personale

Kur çdo ngjarje në punë e interpretojmë si sulm personal ndaj nesh, ngecim në idenë se të gjithë janë kundër nesh. Dhe ky është një iluzion.

Shumica e vendimeve në vendin e punës ndikohen nga aq shumë faktorë, saqë është e pamundur të kuptojmë të gjitha elementet në lëvizje.

Disa vendime mund të varen nga tregu. Të tjera nga furnizimi. Po, ndonjëherë mund të ketë edhe faktorë personalë.

Por, ne shpesh përfundojmë duke menduar se gjithçka është personale.

“Ai personi te burimet njerëzore më urren”

“Ajo kolegia është xheloze sepse mora promovimin”

Kur çdo gjë e shohim përmes filtrit personal, nuk arrijmë të kuptojmë faktorët e shumtë që ndikojnë vendimet dhe biem në mentalitetin e viktimës.

Në vend të kësaj, përqendrohuni të bëni më të mirën duke shfrytëzuar pikat tuaja të forta dhe duke minimizuar prirjen për të përgjithësuar çdo situatë.

Harxhoni energjinë duke zgjidhur probleme në mënyrë krijuese, jo duke ndërtuar skenarë të mëdhenj komploti kundër vetes.

Në fund të fundit, secili prej nesh ka pak “Jennifer Smith” brenda vetes, atë ndjesinë se ndonjëherë mund të jemi armiku ynë më i madh.

Por, tre mjetet e mësipërme janë hapa konkretë që mund të praktikohen në punë sa herë që fillon të shfaqet ajo ndjesia e lodhshme “unë kundër vetes”.

Sepse, në fund të ditës, kur arrijmë të qetësojmë betejën tonë të brendshme, bëhemi shumë më të aftë për të zgjidhur problemet në punë./Monitor