Pas përjashtimit të Keijsit nga gara e Big Brother VIP 5, debati nuk përfundoi vetëm brenda shtëpisë, por u zhvendos edhe në Prime, ku u diskutua gjerësisht situata që çoi në këtë vendim ekstrem. Një nga momentet më të tensionuara ishte përplasja verbale mes Inës dhe opinionistit Arbër Hajdari, lidhur me rolin e saj në konflikt.
Ina u përpoq të sqarojë pozicionin e saj, duke theksuar se klipi i transmetuar nuk pasqyronte të gjithë ngjarjen. Ajo shpjegoi se gjithçka kishte nisur në momentin kur ajo kishte hyrë në dhomën e gjumit dhe kishte bërë një koment të vetëm:
Sa ajër i rëndë është këtu brenda.
Sipas saj, kjo ishte thjesht një vërejtje dhe jo një provokim. Por Arbër Hajdari reagoi menjëherë dhe me tone të ashpra, duke e kundërshtuar hapur:
Mos na trego përralla tani, edhe ti e nxite atë. Doje ta ngatërroje edhe Keijsin. Na tregon përralla tani.
Opinionisti insistoi se Ina kishte pasur rol aktiv në tensionimin e situatës. Ina u mbrojt duke thënë se nuk po justifikonte aspak sjelljen e Keijsit dhe se nuk kishte asnjë qëllim për të nxitur konfliktin. Megjithatë, Arbër Hajdari vijoi presionin, duke e pyetur drejtpërdrejt:
A mund të na tregosh, të lutem, se përse ishe një nga nxitëset e sherrit?
Ina tregoi versionin e saj të ngjarjes, duke zbuluar se pas komentit të saj, reagimi kishte ardhur fillimisht nga Kristi. Sipas saj, ai iu drejtua me fjalë fyese: “O pise femër, o zhulse, t’i marr rrobat dhe t’i hedh në pishinë”. Ina shtoi se Keijsi e kishte dëgjuar këtë dhe më pas kishte reaguar duke thënë: “Do flas unë me të”, çka sipas saj e përshkallëzoi më tej situatën.
Debati mes Inës dhe Arbër Hajdarit theksoi edhe një herë ndarjen e fortë të mendimeve mbi përgjegjësinë e banorëve në konfliktet brenda shtëpisë. Ndërsa Keijsi tashmë është jashtë loje, diskutimet për rolet, nxitjen dhe përgjegjësitë individuale vazhdojnë të mbeten një nga temat më të nxehta të këtij edicioni.