Aktori i njohur Jim Parsons, i cili fitoi famë botërore me rolin e Sheldon Cooper në serialin “The Big Bang Theory”, ishte një nga emrat që tërhoqi më shumë vëmendje në ceremoninë e “Tony Awards 2026”.
53-vjeçari u ngjit në skenë së bashku me kastin e muzikalit të Broadway-t “Titanique”, ku interpreton personazhin e Ruth DeWitt Bukater, nënën e rreptë dhe autoritare të Rose nga filmi ikonik “Titanic”.
Për performancën e tij, Parsons u transformua plotësisht, duke u shfaqur me një kostum bordo të zbukuruar me detaje rozë, perla dhe grim teatral, një paraqitje që la mbresa te publiku dhe fansat.
Gjatë spektaklit, ai dhe pjesa tjetër e kastit interpretuan këngët e njohura “Chances” dhe “My Heart Will Go On”, duke sjellë një nga momentet më të veçanta dhe më argëtuese të mbrëmjes.
Në skenë iu bashkuan edhe emra të njohur si Marla Mindelle, Deborah Cox, Frankie Grande, Melissa Barrera dhe John Riddle, të cilët kontribuuan në suksesin e performancës që u prit me duartrokitje të shumta nga të pranishmit.
Pas ceremonisë, Parsons ndau emocionet e tij në rrjetet sociale, ndërsa nuk e fshehu entuziazmin për projektin. Aktori ka deklaruar më herët se “Titanique” është një nga eksperiencat më argëtuese që ka përjetuar gjatë karrierës së tij në teatër.
Është argëtimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në skenë
-është shprehur ai, duke vlerësuar energjinë e publikut dhe suksesin e vazhdueshëm të shfaqjes.
Jim Parsons iu bashkua kastit të “Titanique” në muajin mars dhe pritet të vazhdojë interpretimet në Teatrin St. James në New York deri në shtator, ndërsa shfaqja vazhdon të mbetet një nga produksionet më të pëlqyera të Broadway-t.