Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar të përfshirë në sulmin ndaj drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi, ngjarje e ndodhur më 21 maj në lagjen “Rus”.
Në pranga ka rënë shtetasi E. Çela, banues në lagjen “Kiras”, i cili dyshohet se ka transportuar me automjet autorin e sulmit. Sipas hetimeve paraprake, personi tjetër ka goditur me një send të fortë drejtorin e AKU-së dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Burime policore bëjnë me dije se autori i dyshuar kryesor është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Strukturat e policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Nga sulmi, Ramir Haderi pësoi një dëmtim në zonën e vetullës. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ai u largua drejt banesës, ndërsa një ditë më vonë reagoi publikisht duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga detyra.
Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime se ngjarja mund të lidhet me detyrën e tij si drejtues i AKU-së. Sipas burimeve hetimore, personat e përfshirë dyshohet se janë paguar për realizimin e sulmit, ndërsa identifikimi i porositësve të mundshëm mbetet ende objekt hetimi.
Policia e Shkodrës dhe Prokuroria po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.