Tension dhe përplasje u regjistruan para Bashkisë së Sarandës, ku një grup taksistësh të qytetit zhvilluan protestë duke kërkuar takim me kryetarin e bashkisë për shqetësimet që lidhen me aktivitetin e tyre.
Taksistët janë paraqitur në ambientet e bashkisë me një kërkesë-ankesë zyrtare, ku pretendojnë se automjete nga qytete të tjera, si Tirana, Delvina, Finiqi dhe Konispoli, po ushtrojnë aktivitet taksi në Sarandë në mënyrë të paligjshme dhe pa kontrollet e nevojshme nga institucionet lokale.
Sipas tyre, problem mbetet edhe mungesa e terminaleve dhe parkimeve të përcaktuara për taksitë e licencuara të qytetit, ndërsa ngritën akuza edhe për mjete që operojnë pa dokumentacionin përkatës.
Situata u tensionua në momentin kur protestuesit kërkuan të hynin në bashki për t’u takuar me kryetarin, por sipas tyre nuk u lejuan të futeshin në institucion. Kjo solli debate dhe përplasje verbale me punonjësit e sigurisë dhe policinë bashkiake.
Taksistët paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje, protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.