Aktualitet

1 Maji në Shqipëri, marshim në Tiranë e mesazhe nga politika!

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Tiranë, një grup qytetarësh marshoi nga sheshi Skënderbej drejt selisë së Kryeministrisë. Kërkesat e tyre ishin për punë, kushte e paga më të mira, perspektivë, si dhe ulje të çmimeve për produktet e shportës. Gjithashtu, pjesë e marshimit u bë Grupimi i Lëvizjes Mërgimtare, që ndër të tjera kërkon t’u njihet e drejta e votës emigrantëve.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “1 Maji nuk mund të jetë thjeshtë një ditë feste, por një ditë reflektimi për të gjitha ditët dhe kushtet e punës në Shqipëri”.

Puna jo e mirëpaguar, pa kontratë të rregullt dhe kontribute pensioni, pa sigurim shëndetësor e të drejta për pushim me pagesë, e zhvesh punëtorin nga dinjiteti dhe e vendos në një marrëdhënie shfrytëzimi. Kjo situatë duhet të marrë fund! Pasojat e rënda dhe afatgjata të pandemisë e luftës në Ukrainë, në veçanti rritja abuzive e çmimeve, e shtrojnë më me forcë këtë domosdoshmëri, në veçanti për rritjen e pagës minimale, garantimin e kushteve në vendin e punës dhe të çdo të drejte që siguron mirëqenie e drejtësi sociale. Të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve!

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti sot njerëzit e punës:

Sot është dita e mirënjohjes ndaj punëtorëve, ndaj thjeshtësisë e madhështisë së njerëzve të punës. Atyre që ditë pas dite, në heshtje, me mundin, durimin dhe talentin e tyre, ndërtojnë jetën e familjeve dhe të ardhmen e fëmijëve. Historia e vërtetë e Shqipërisë është historia e njerëzve të punës, që lodhen, kontribuojnë dhe dalin në pension, duke u trashëguar brezave shembullin e tyre. Me modelin e tyre të të punuarit e të jetuarit me nder, ata i japin jetë Shqipërisë. Prandaj, sa më të denja të jenë kushtet e punës dhe paga e punëtorëve, aq më e fortë bëhet ekonomia!

Në këtë ditë, kryeministri Edi Rama publikoi fotogaleri nga kantieret e Rindërtimit, që nga banesat individuale, pallatet, çerdhet, kopshtet dhe shkollat e ngritura nga e para, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kryeministri falënderoi “të gjithë njerëzit e punës që bënë realitet projektin e rindërtimit, pa të cilët nuk do mund t’u kthenim dot buzëqeshjen familjeve të prekura”.

1 Maji, i kushtohet punëtorëve në të gjithë botën. Ky manifestim lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë e kushtet e punës dhe të jetesës.