Bota

1 Maji, protesta e arrestime në Turqi/Papa Françesku kujton viktimat e aksidenteve në punë!

Dhjetëra protestues u arrestuan nga policia në Stamboll të Turqisë, gjatë protestës së sotme kundër rritjes së inflacionit. Në sheshin Taksim pati përleshje mes tyre e forcave të rendit, ndërsa nuk munguan prangosjet. Mbi 50 arrestime raportohen edhe në qarqet Beshiktash e Sisli. Zyra e guvernatorit të Stambollit foli për 164 të ndaluar në total, në kuadër të atyre që i quajti “protesta të paligjshme”. Kreu i Konfederatës të Punëtorëve në Turqi, Ergun Atalay, kërkoi që paga minimale të ndryshojë, edhe për shkak të rritjes së çmimeve.

Si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë e rritjes globale të çmimeve, në prill, niveli i inflacionit vjetor në Turqi ishte 68% nga 61% krahasuar me marsin, referuar raportimeve të agjencisë së lajmeve Reuters.

Protesta pati edhe në Itali, duke iu rikthyer manifestimeve tradicionale të punëtorëve më 1 Maj, tashmë që nuk ka më kufizime të diktuara nga masat anti-COVID. Në vendin fqinj, këtë vit, festa e punëtorëve shënon një rast më shumë që sindikatat e tyre të kërkojnë ndalimin e luftës ruse në Ukrainë. Një apel iu drejtua komunitetit ndërkombëtar e Kombeve të Bashkuara, për të favorizuar negociatat Moskë-Kiev, si dhe të arrihet armëpushim.

Në Milano, krahas flamujve ranë në sy pankartat me mbishkrime kundër agresionit rus e të gjitha luftërave, si dhe kritika ndaj “imperializmit”.

Kievi si Beogradi, Kabuli, Tripoli e Damasku: luftëra të imperializmit unitar!

Në Torino, protestat nuk kaluan pa tensione. U shënuan përplasje mes policisë dhe një grupi punonjësish të shpërndarjes së ushqimit, të cilët nuk u lejuan që me motoçikleta të hynin nga tuneli i San Federicos, për t’u bashkuar me të tjerë. Agjentët i goditën me shkopinj për t’i detyruar të tërhiqen.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një mesazh nga Papa Françesku.

Të nxitet respektimi i angazhimit që kudo e për të gjithë, puna të jetë dinjitoze dhe që nga bota e punës të vijë vullneti për të rritur një ekonomi në paqe! Dua të rikujtoj viktimat e aksidenteve në punë, një tragjedi e përhapur, ndoshta shumë!