Design Travel

1 milion njerëz e vizitojnë çdo vit, gjithçka rreth ‘perlës’ së Indisë, Hawa Mahal!

Në vitin 2015, India nisi një plan ambicioz të quajtur “Misioni Kombëtar i Qyteteve të Zgjuara”, që synon të bëjë 100 qendra urbane më të jetueshme, përmes zgjidhjeve inovative. Ndër 100 qytetet e përzgjedhura ishte Jaipur. I famshëm për ndërtesat historike rozë, Jaipur ishte i pari “qytet i planifikuar” i mbretit Sawai Jai Singh. Jai Singh e zhvendosi kryeqytetin e mbretërisë së tij nga fshati Amer në Jaipur në 1727. Në vitet në vijim, pasardhësi i tij, i dha një rëndësi shumë të madhe anës artistike, duke zbukuruar muret e vjetra të qytetit dhe pallatet.

Por dashurinë e madhe për artin e shfaqi më së shumti në pallatin Hawa Mahal, që nuk është vetëm një kryevepër arkitekturore, por ende është shembull i një ndërtimi të qëndrueshëm dhe të fortë. Përfunduar në 1799 dhe tani një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Hawa Mahal është një nga ikonat më të njohura të Indisë dhe 1 milion njerëz e vizitojnë çdo vit.

Përtej mureve rozë dhe dekorimeve unike, Hawa Mahal është një strukturë mbresëlënëse. Me një lartësi prej 27 metrash dhe e mbushur me 953 dritare të zbukuruara, ndërtesa dallon më shumë për pjesën e saj të pasme. Udhëtarët e pëlqejnë shumë atë që shohin brenda pallatit, por mahniten kur vëzhgojnë fasadën e pasme. Arkitektja Kavita Jain, një specialiste e trashëgimisë kulturore, thotë se Hawa Mahal shërbeu edhe për qëllime të tjera.

Lartësia e pjesës së pasme të ndërtesës, u realizua në mënyrë të atillë që mbreti të ishte më i lidhur me njerëzit e thjeshtë dhe festimet e tyre, pa u shfaqur në publik.

Ndërtesa është gjithashtu një shembull i rolit që ka luajtur klima në Indi. Ajo ka dëshmuar ndër shekuj se është ndërtuar sipas ligjeve më të avancuara të termodinamikës, duke i rezistuar çdo ndryshimi klimatik. Arkitektja Kavita Jain shprehet se:

Orientimi i ndërtesës është në aksin lindje-perëndim, në përputhje me drejtimin e erës në këtë rajon. Era hyn në pallat nga perëndimi, përmes një sërë terrenesh të hapura. Një strukturë e posaçme uji në oborr zbaton parimin e rrymave të konvencionit; ajri i nxehtë ngrihet dhe ajri i ftohtë zbret. Kështu era e ngarkuar me lagështi lëviz më pas drejt 953 dritareve dhe ftoh ajrin. Gjithashtu, përdorimi i gëlqeres si material, rregullon temperaturën në vetvete. Edhe dyshemetë janë ndarë sipas stinëve, duke e bërë Hawa Mahal një ndërtesë shumë rezistente ndaj klimës.

Jaipur është i nxehtë dhe i thatë, pothuajse gjatë gjithë vitit. Gjatë muajve të verës, mund të ngjitet në mbi 43 gradë celsius.