Rajoni

1 milionë doza të vaksinës kineze anti-COVID mbërrijnë në Serbi

Serbisë i mbërritën sot 1 milionë doza të vaksinës kineze kundër koronavirusit “Sinopharm” që iu shtohen atyre të “Pfizer”-it e ruses “Sputnik V”. Për të pritur avionin që i transportoi, Presidenti Aleksandër Vuçiç doli në Aeroport, me Ambasadoren e Pekinit në Beograd, Chen Bo. Serbia bëhet shteti i parë në Europë që pranon vaksinën kineze e pritet ta përdorë duke nisur nga java e ardhshme.

Në vendin ballkanik fushata e vaksinimit filloi në fund të dhjetorit me të moshuarit në azile e punonjësit e Shëndetësisë.  Deri tani janë vaksinuar mbi 20 mijë vetë. Në qershor, në territorin serb priten dhe vaksinat e kompanive “AstraZeneca” e “Moderna”. Në Ballkanin Perëndimor, vaksinimi anti-COVID ka nisur vetëm në Serbi e në vendin tonë.

Ndërkohë 6 vende të Bashkimit Europian e cilësojnë “të papranueshëm” vendimin e kompanive “Pfizer” e “BioNTech” për të reduktuar dorëzimet e vaksinave anti-COVID në javët e ardhshme. Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia deklaruan se “ky ngadalësim vë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit të vaksinimit”. Për këtë arsye i kërkojnë Bashkimit Europian, të ushtrojë presion ndaj “Pfizer”-it e “BioNTech”-ut që reduktimin aktual të vaksinave e lidhin me çështje teknike të prodhimit.