Aktualitet

1 vit burg ish-kandidatit për deputet të LSI-së!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, dënoi me një vit burg ish-kandidatin për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Etjon Joka. Ai u gjykua për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. GjKKO pranoi kërkesën e SPAK-ut, që kërkoi një vit burg për të. Po me 12 muaj burg u dënua edhe i pandehuri tjetër, shtetasi Elis Babo.

Etjon Joka u filmua teksa jepte para’ në  këmbim të shtitblerjes së votave gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Kujtojmë se pamjet filmike në të cilat shfaqej kandidati i LSI-së, në atë kohë i renditur i 22-i në listat e Tiranës, u publikuan një vit më parë nga Top News.

Elis Babo është personi që kishte kryer filmimin dhe të cilit i janë dhënë paratë nga Joka. Ish-kandidati për deputet nëpërmjet avokatit të tij deklaroi se gjithçka ka qenë e stisur nga kundërshtarët e tij politikë si Alqi Bllako, i arrestuar për inceneratorët.

Avokati i Jokës paraqiti prova dhe fakte në lidhje me videon, telefonin me të cilin u bë filmimi dhe se kujt iu dorëzua, prova sipas tij lidhen me kundërshtarët e Jokës në zgjedhje.

Ndërkohë i pandehuri tjetër Elis Babo  nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se e ka bërë filmimin për të denoncuar korrupsionin në zgjedhje edhe pse ishte në kushte të vështira ekonomike.