Bota

1-vjetori i masakrës ruse në Buça të Ukrainës, Zelensky: Kurrë nuk harrojmë!

Ukraina sot shënon një-vjetorin e tërheqjes së forcave ushtarake ruse nga qyteza Buça, duke lënë pas trupat e qindra civilëve të vrarë nga ushtria e Rusisë dhe që u gjetën në rrugë. Për Kievin zyrtar nuk ka asnjë dyshim se ngjarjet në Buça janë një masakër e klasifikohen si krime lufte të Moskës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, masakrës në Buça, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu referua si “simbol i mizorive” të kryera nga ushtria ruse. Përmes një deklarate, Zelensky vuri në dukje:

Ne nuk do të harrojmë kurrë. Ne do t’i ndëshkojmë që të gjithë fajtorët!

Rusia vetëm e mohon kryerjen e masakrës dhe pretendon se vdekjet janë inskenuar nga Ukraina. Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 400 trupa të civilëve u gjetën në Buça, ndërsa një total prej më shumë se 1 mijë trupash u zbuluan në rajonin rreth Kievit. Shumica e tyre ishin në varreza masive.

Hetuesit ukrainas dhe ata ndërkombëtarë vazhdojnë hetimet e nisura për krime lufte në Buça, Irpin e në të tjera zona të Ukrainës, aty ku dhe kanë ndodhur masakrat. Në këtë 31 mars, reagoi kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila përmes një postimi në Twitter shkruan:

Një vit më parë, Ukraina e çliroi Buçën dhe bota është zgjuar me fytyrën e vërtetë të pushtuesit rus. Buça është skenë krimi e simbol për të gjitha krimet ruse, si edhe vrasjet masive, dëbimet e shkatërrimin e të gjitha qyteteve. Nuk ka kthim pas, Rusia do të mbahet përgjegjëse!

Lufta ruse në Ukrainë nisi dhe vazhdon prej datës 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.