Aktualitet

10 të vdekur dhe 656 raste të reja me Covid-19 në vend

Vijon të jetë i lartë numri i viktimave nga koronavirusi në vend. 10 vdekje dhe 656 raste ditore u konfirmuan sot nga Ministria e Shëndetësisë pas rreth 2 mijë e 200 testeve. Në 24 orët e fundit janë 321 të shëruar duke e çuar totalin në  17 mijë e 352 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 469 pacientë, 15 në terapi intensive, 4 të intubuar. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë në kufizimin e përhapjes së infeksionit, duke respektuar rregullat, me mbajtjen e maskës, shmangien e grumbullimeve, dhe ruajtjen e distancës e higjienës.

15 viktima dhe 775 raste të reja me koronavirus në 24 orë në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pohoi se personat që e humbën betejën me infeksionin e rrezikshëm janë të moshës nga 50 në 87 vjeç. Kosova ka rreth 14 mijë raste aktive me sars-cov2.

Situatë kritike nga pandemia po përjeton edhe Serbia. Gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 7 mijë e 606 raste të reja me Covid-19. 51 persona kanë ndërruar jetë. Në të gjithë Serbinë janë të shtruar nëpër spitale, rreth 7 mijë pacientë, nga të cilët 243 me frymëmarrje të komanduar. Në total në shtetin ballkanik janë 1 mijë e 366 viktima prej fillimit të pandemisë.

Anembanë globit janë 60.6 milionë të infektuar me sars-cov2, një shifër që rritet me ritme të shpejta nga ora në orë. Për fat të keq janë 1 milionë e 124 mijë viktima. Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i prekur si për të infektuarit ashtu edhe për vdekjet me 12.7 milionë raste dhe 263 mijë të sëmurë në Amerikë që nuk ia kanë dalë dot ta mposhtin sëmundjen. Lista vijon me Brazilin e Indinë, ndërsa në Evropë, Britania mbetet vendi me bilancin më negativ nga infeksioni. Në krahasim me një muaj më parë, janë 182 mijë raste më shumë në të gjithë botën.