Aktualitet

109-vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Forcat e Armatosura u krijuan në 4 dhjetor 1912 pak ditë pas formimit të Shtetit të parë Shqiptarë në Vlorë.

Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti Sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj nga tundimet e huaja (të shpeshta për shekullin e shkuar).

Sot FA-të kanë një mision edhe më të madh, me tipar global. Të qenit pjesë e NATO-s i ka dhënë FA-ve mundësinë për të shtrirë misionin e tyre në disa vende të botës, si Afganistan..etj

Historiku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

Shqipëria e ndodhur në kryqëzimin e rrugëve dhe në kufirin që ndan dy qytetërime të mëdha të Perëndimit dhe të Lindjes, ka qenë truall që ka vuajtur nën pushtimin e huaj dhe kërcënimin e pandërprerë të zhdukjes si komb. Mbrojtja e kufijve etnikë, mjeshtëria luftarake dhe përdorimi i Forcave të Armatosura kanë qenë domosdoshmëri. Historia shqiptare dhe sfida për mbijetesë, e ka kushtëzuar dhe organizimin dhe mbajtjen në këmbë të një force të armatosur, me përbashkësitë dhe veçoritë e saj me homologët e kohës.

Historia e ushtrisë së Shqipërisë daton fillimet e saj që në kohët antike. Me lindjen e shtetit të parë ilir, shek. V p.e.s., nisi kalimi nga organizata e armatosur për vetëmbrojtjen e popullsisë në organizimin e ushtrisë, si forcë e armatosur më vete e shtetit. Ushtritë e shteteve ilire organizoheshin në ushtri të kohës së paqes (të përhershme) dhe të kohës së luftës. Ushtria e kohës së luftës arrinte nga 10-40 mijë vetë dhe plotësohej nga qytetarë të lirë dhe vullnetarë.

Rreth shekujve V – IV të mijëvjeçarit I p.e.s., në Iliri u vu në zbatim shërbimi i detyrueshëm ushtarak për ushtrinë e kohës së paqes për moshën 17-20 vjeç dhe në rast lufte mobilizoheshin edhe meshkujt e aftë për luftë deri në moshën 60 vjeç. Për shkak të pozicionit gjeografik, përveç komponentit tokësor ushtria kishte edhe atë detar.

Organizimi dhe arti ushtarak ishin pjesë e rëndësishme edhe në Principatat e Arbërit. Për të siguruar pavarësinë dhe për t’u mbrojtur nga rreziqet e jashtme dhe të brendshme, çdo principatë feudale krijoi ushtrinë e saj dhe në krye të ushtrisë ishte kryezoti i feudalëve. Principatat feudale shqiptare kishin të organizuar ushtrinë e principatës. Në krye të ushtrisë qëndronte kryetari i familjes më të madhe feudale të principatës, siç ishin Topiajt, Balshajt, Muzakajt, Zenebishtajt, Shpatajt, etj. Krahas ushtrisë shtetërore ekzistonte dhe institucioni “popull nën armë”, i cili përbëhej nga fshatarë të lirë. Në këtë periudhë mund të organizohej një ushtri deri 15.000 luftëtarë, kalorës dhe luftëtarë të tjerë.

Tradita ushtarake u pasurua më tej në shekujt që pasuan, për të shënuar zhvillime të rëndësishme në periudhën e pushtimit të vendit nga Perandoria Osmane. Zhvillimet e kësaj periudhe arritën kulmin në vitet 1443-1468, kohë gjatë së cilës në krye të luftëtarëve shqiptarë ishte Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), i cili bëri të mundur krijimin e një ushtrie të vogël, por cilësore, që për 25 vjet rresht u bë pengesa kryesore për ushtritë e panumërta te perandorisë më të fuqishme të kohës.

Gjatë viteve 1771 – 1832, që është periudha e organizimit të vendit mbi bazën e pashallëqeve, edhe ushtritë u organizuan e u përdorën nga udhëheqësit e këtyre pashallëqeve. Në përpjekjet e tyre për t’u ndarë me Portën e Lartë dhe krijimin e vendeve të pavarura, ata arritën nivelet e një pozite të rregullt të Forcave të Armatosura, duke pasur pothuajse të njëjtin organizim ushtarak (Divizion, Regjiment, Batalion) me ushtritë moderne të kohës.

Lidhja e Prizrenit 1878 – 1881 është një pikë kulmore e historisë së Shqipërisë, për pasojë është e tillë edhe për Forcat e saj të Armatosura, e cila krijoi një ushtri vullnetare “Roja Kombëtare” që u drejtua nga Komiteti Ushtarak Qendror nën vartësinë e të cilit ishin Komisionet e Mbrojtjes Rajonale, ku formacioni më i lartë ushtarak ishte Korpusi. Kriteri bazë i mobilizimit ishte parimi “një luftëtar për shtëpi”, por në krahinat kufitare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga agresioni i ushtrive armike, ky parim u tejkalua, edhe “tre burra për shtëpi”. Sipas këtij parimi u krye regjistrimi i vullnetarëve nga mosha 15 deri 70 vjeç. Efektivi i Rojës Kombëtare parashikohej të arrinte deri në 260.000 veta që do të përfshinte të katër vilajetet e banuara nga popullsia shqiptare: Vilajeti Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe i Janinës.

Në 30 vjetët që pasuan, pas rënies së Lidhjes së Prizrenit dhe shpërbërjes së forcave të saj ushtarake, shqiptarët nuk reshtën në luftën e tyre për të siguruar autonominë dhe më pas pavarësinë e vendit. Kryengritjet shqiptare që filluan në vitin 1908 do të finalizoheshin me Shpalljen e Pavarësisë së vendit, më 28 Nëntor të vitit 1912.

Më 4 Dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupi. Në këtë periudhë Forcat e Armatosura arritën të organizohen në: Forcat Vullnetare, Rezerviste, Xhandarmëria dhe Forcat Aktive. Ushtria në total arriti deri në 12.000 vetë e organizuar në 14 batalione me 400 – 500 vetë.

Më 29 Korrik 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër e Fuqive të Mëdha e njohën shtetin e pavarur shqiptar, si një “Principatë Sovrane” nën mbikëqyrjen e Fuqive të Mëdha dhe drejtimin e një princi të huaj. Një ndër strukturat kryesore organizative të ushtrisë së kohës ishte xhandarmëria dhe sistemi milicor. Për ndërtimin e këtyre strukturave dhe përgatitjen e xhandarmërisë ndihmuan dhe asistuan një grup ushtarakësh holandezë nën drejtimin e gjeneral De Weer dhe kolonel Thomson.

Në rrugëtimin e vështirë, që iu desh të përballej, shteti shqiptar në hapësirën kohore 1912 – 1939, nga qeverisja e Princ Vidit (mars 1914 – shtator 1914), Lufta e Parë Botërore (korrik 1914 – nëntor 1918), Qeveria e Përkohshme e Durrësit (1918 – 1919), disa qeveri të dala pas Kongresit të Lushnjës janar 1920, organizimi ushtarak mori formën dhe modelin që i përngjante ushtrive të kohës. Në vitin 1920 ushtria ishte e organizuar në një divizion me tre regjimente, që operonin në drejtimet më të rëndësishme për mbrojtjen e vendit. Në vitin 1927 sistemi milicor u zëvendësua me sistemin e organizimit të ushtrisë së rregullt. Në vitin 1929, ushtria u organizua në tre forca: Tokësore, Detare dhe Ajrore. Forca Ajrore ishte akoma një strukturë organike ekzistuese vetëm në letër. Forca Tokësore kishin peshën më të madhe dhe më të rëndësishme dhe formacioni më i madh ishte divizioni. Ushtria përbëhej nga forcat aktive dhe ato rezerviste.

Gjithçka shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë, më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura. Në këto rrethana lindën Forca të reja të Armatosura që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit. Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë efecientë, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab të Përgjithshëm, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare.

Pas çlirimit të vendit, ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi dhe riorganizimi dhe më 9 korrik 1945, ajo mori emrin Ushtria Kombëtare, kohë kur filloi transformimi i saj në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, FT, FD, FAj, Forcat Rezerviste dhe ato Territoriale.

Në vitin 1951, ushtria shqiptare krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 Armën e Kimisë, Shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. Forcat Detare, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan.

Nga vitet 1950 – 1968, Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, dhe si rrjedhojë ushtria shqiptare u pajis me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë shënoi fillimet e stërvitjeve të mëdha, si ajo e vitit 1950.

Në vitin 1966, sipas udhëzimeve të PPSH me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat dhe heqja e sistemit të gradave.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 1970-1980, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike, duke arritur shifrën 61,000 forca aktive dhe 260,000 rezerviste dhe një numër i madh i forcave vullnetare.

Në vitet ‘90, me ndryshimin e sistemit politik edhe ushtria u bë pjesë e këtyre ndryshimeve. Reforma në FA filloi me vendosjen e kontrollit civil në to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake dhe zëvendësimin e tyre me simbolet kombëtare, vendosjen e gradave dhe depolitizimin e departizimin.

Në bazë të koncepteve të reja për përdorimin e FA, u bë ristrukturimi e riorganizimi i tyre me tendencë kryesore zvogëlimin e sasisë dhe rritjen e cilësisë. Hapja ndaj botës ishte një aspekt tjetër që i shërbeu modernizimit të FA dhe rritjes së shkallës së ndërveprueshmërisë së tyre me partnerët ndërkombëtarë.

Në vitin 1992, Shqipëria shpalli publikisht dëshirën e saj për t’u bërë anëtare e NATO, dëshirë, e cila u pasua me ndërmarrjen e hapave konkrete në këtë drejtim. Kështu, në vitin 1994 firmoset dokumenti në kuadrin e PfP dhe në qershor 1995, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e nismës PfP. Në vitin 1999 u përgatit për herë të parë , Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Megjithëse si pasojë e krizës së vitit 1997, FA rezultuan më të dëmtuarat, në një kohë relativisht të shkurtër ato u ringritën dhe u bënë kontribuese të denja për sigurinë e paqen në rajon e më gjerë. Gjeografia e kontributeve të FA në mbështetje të paqes e sigurisë i kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për t’u shtrirë edhe përtej kontinentit.

Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992, ku në qershor Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC) dhe në mars të 1993 për herë të parë Shqipërinë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner, dhe në maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Në janar të vitit 1994, NATO lëshoi dokumentin ftesë të Partneritetit për Paqe, duke e përcaktuar atë si një program të drejtpërdrejtë dhe një mekanizëm praktik për të transformuar marrëdhëniet ndërmjet NATO dhe shteteve jo anëtare dhe me 23 shkurt 1994 nënshkruhet Dokumenti Kuadër i PfP, ku Shqipëria bëhet zyrtarisht anëtare e kësaj iniciative, dhe në 20 prill 1994, Parlamenti i Shqipërisë ratifikoi dokumentin themelor të PfP.

Më 9 Qershor 1995, Shqipëria u përfshi zyrtarisht në procesin e Planifikimit dhe Rishikimit të Partneritetit për Paqe (PARP), proces i cili krijoi kushte për të përfituar dhe aplikuar eksperiencën e NATO në fushën e planifikimit të Mbrojtjes.

Duke marrë pjesë në ciklet e PARP, Shqipëria nisi shkëmbimin me NATO, të informacionit dhe marrjen më në detaje të ekspertizës për çështje të një spektri të gjerë, që përfshijnë politikën e mbrojtjes, zhvillimet për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura, mbi forcat që Shqipëria ofron në dispozicion të NATO/PfP dhe planet përkatëse financiare.

Në mars 1998, Aleanca shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës, ku pala shqiptare u paraqiti vendeve të NATO shqetësimet dhe qëndrimet e saj pas përkeqësimit të situatës në Kosovë.

Në qershor 1998, duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, Ministrat e Mbrojtjes të NATO vendosën adoptimin e një sërë masave konkrete ku veçohen, mbajtja e një stërvitje të përbashkët ajrore të NATO mbi Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe hapjen e zyrës së NATO/PfP në Tiranë

Në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria de facto reagonte e vepronte sikur të ishte një vend anëtar i NATO.

Pas Samitit të Washingtonit 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera (me vonë dhe Kroacia) u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.

Në nëntor 1999, Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Në gusht 2002, Shqipëria dërgoi misionin e parë në Afganistan, misioni ISAF, 23 veta nga regjimenti komando, ndërsa në vitin 2003, Shqipëria dërgoi misionin e saj të parë në Irak, një kompani komando.

Në vitin 2003, në Samitin e Stambollit, çështja kryesore ishte përmirësimi në bashkëpunimin e strukturave NATO/EAPC/PfP, që u përpunua tërësisht në raportin e rishikimit të gjithanshëm. Kryetarët e shteteve dhe qeverive e përshëndetën Shqipërinë për progresin e ndjeshëm në reforma, rolin e saj konstruktiv në nxitjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen për Aleancën.

Në maj 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia së bashku me SHBA nënshkruajnë “Kartën e Adriatik 3 – SHBA” (u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e të tre vendeve në NATO, sipas shembullit të “Grupit të Vilnusit”).

Gjatë viteve 2004 – 2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës dhe gjatë kësaj periudhe FARSH kanë dhënë një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO, por edhe BE e OKB.

Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO.

Në kuadër të angazhimeve politike të Republikës së Shqipërisë, në luftë kundër terrorizmit, Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në operacione ndërkombëtare, në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e pandarë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe koalicionet e përbashkëta të partnerëve tanë strategjike.

Më 9 shtator 1996, FARSH kanë filluar misionin e parë në Bosnjë-Hercegovinë.

Numri i trupave pjesëmarrëse në Operacionet e Mbështetjes së Paqes (OMP) është rritur, ashtu siç është rritur edhe gjeografikisht numri i vendeve apo rajoneve ku ato kanë kryer operacione.

Pjesëmarrja e FARSH në misione paqeruajtëse dhe luftarake buron nga misioni kushtetues i tyre dhe baza ligjore e përcaktuar për secilin kontribut në misione paqeruajtëse apo luftarake.

FARSH, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga muaji shtator i vitit 1996 dhe deri në muajin shtator 2020, janë angazhuar me rreth 7.808 ushtarakë gjithsej. Ndër vite rreth 100 femra kanë qenë pjesë e kontingjenteve pjesëmarrëse në misione dhe operacione ndërkombëtare. Shqipëria konsiderohet si vendi i dytë në NATO përsa i përket numrit të ushtarakëve të dislokuar në misione, në raport me personelin aktiv të Forcave të Armatosura.

Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me NATO. Pjesë e këtij plani është paketa me objektivat e forcës, të cilat janë marrë përsipër nga FARSH si kapacitete operacionale të cilat vihen në dispozicion të NATO për misionet aktuale dhe të ardhshme. Thelbin e tyre e përbën “Grup-batalioni i Lehtë” me bërthamë b2k të Forcës Tokësore, si dhe elementë të bashkëngjitur nga nënreparte të tjera të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse, e certifikuar nga NATO në shtator të vitit 2018.

Gjithashtu, duke qenë pjesë e NATO Response Force (NRF), janë certifikuar edhe Kompania e Parë dhe e Dytë Komando e Forcës Tokësore, përkatësisht në vitet 2018 dhe 2019.

Në interes të NRF, u certifikua më 26-27 nëntor 2020 edhe Kompania e Dytë operacionale e Policisë Ushtarake.

Si pjesë e prezencës së përparuar të NATO në Letoni, janë certifikuar pesë toga të Kompanisë EOD të Batalionit të Xhenios, Komanda Mbështetëse.