Aktualitet

109-vjetori i Pavarësisë bën bashkë krerët e shtetit në Vlorë!

109-vjetori i shpalljes së pavarësisë, sot bëri bashkë në Vlorë, drejtuesit më të lartë të shtetit. Presidenti Meta, kryeparlamentarja Nikolla e kryeministri Rama morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, akt që përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e pamohueshme për të qenë i lirë dhe i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Europës. 28 Nëntori 1912 shënoi kthesë historike: përveçse mori fund sundimi gati 5-shekullor i Perandorisë Osmane, u krijuan edhe kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e për zhvillim më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor. Gjithashtu, shpallja e Pavarësisë ishte fitore e madhe e shqiptarëve kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, që me planet e tyre, synonin copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Nga Vlora, Presidenti i Republikës, dha një mesazh për politikën:

Kjo është festa më e rëndësishme e kombit tonë, Dita e Flamurit, e Pavarësisë dhe e ditëlindjes së Adem Jasharit. Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi kudo, për të gjithë shqiptarët, pasi ky është flamuri i të gjithëve, është i Ismail Qemalit dhe i Isa Boletinit, është një frymëzim për t’u bashkuar dhe reflektuar e Shqipëria të jetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton në Bashkimin Europian!

Lulzim Basha, deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por që për demokratët është edhe 77-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë, që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi.

Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës europiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar, Shqipërinë dhe kombin shqiptar!

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken uron shqiptarët në 109-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë në Përvjetorin e 109-të të Pavarësisë!”, – thuhet në urim.

Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull më parë, kur presidenti Woodrow Wilson mbrojti me forcë Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në 1919. Që prej asaj kohe, shqiptarët kanë treguar forcë të madhe dhe qëndrueshmëri, duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste e duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit europian. Shqipëria e ka shfaqur këtë frymë sërish këtë vit, duke hapur dyert për afganët në nevojë dhe vazhdon të ofrojë një portë të sigurtë për ta, siç bëri me mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me grupe të tjera të larguara prej persekutimit, gjatë dekadave të fundit. Në 2021, ne shënuam 30 vite marrëdhënie diplomatike të rikthyera, duke reflektuar mbi gjithçka amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku prej vitit 1991. Sot, ne jemi aleatë në NATO dhe vitin tjetër ne do shërbejmë bashkë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike e të ardhmen në Bashkimin Europian. Presim të forcojmë më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë ta quajmë Shqipërinë shtet mik, aleat e partner.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim uroi nga Vlora:

Pavarësinë e uruan dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, NATO, presidentët e Italisë e të Francës.

Muzeu i Pavarësisë në Vlorë tashmë mund të vizitohet nga të gjithë nëpërmjet një audioguide të realizuar nga Ministria e Kulturës. Audioguida përbëhet nga 9 pika interesi, një për çdo sallë, me kohëzgjatje 20 minuta. Gjithashtu mund të përdoret si një vizitë e plotë sipas itinerarit të caktuar ose nëpërmjet kërkimit të sallave apo personazheve të historisë.

Aplikacioni pa pagesë në Play Store:

https://play.google.com/store/apps/details…

AppStore https://apps.apple.com/…/muzeu-komb%C3…/id1586429445