Aktualitet

109-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë/Dita e Flamurit!

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme në trevat shqiptare dhe për shqiptarët anembanë botës. Kjo datë shënon dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar, mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.

Mes aktiviteteve me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, veteranët e Kombëtares së Futbollit dhe ata të Kosovës rikthehen në fushë për të luajtur një miqësore. Vëllazërorja mes dy ekipeve që kanë në përbërje ish-futbollistë të famshëm të dy përfaqësueseve do të luhet në orën 11:30, në kompleksin “Olympic Park”, në Durrës. Tashmë, në traditën e krijuar prej kohësh, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj vëllazëroreje, në një ditë të rëndësishme për historinë tonë.

Të ftuar për këtë ndeshje, në listën e lojtarëve kuqezi janë emra që kanë bërë histori me fanellën kuqezi e që kanë luajtur me Kombëtaren Shqiptare, si Blendi Nallbani, Ilir Bozhiqi, Elvis Sina, Geri Çipi, Ervin Fakaj, Hysen Zmijani, Armend Dallku, Debatik Curri, Luan Pinari, Bajram Fraholli, Ardian Mema, Ilir Alliu, Gilman Lika, Redi Jupi, Latif Gjondeda, Eqerem Memushaj, Fjodor Xhafa, Fatbardh Jera, Agustin Kola, Migen Memelli, ndërsa në stol në rolin e trajnerit do të jetë ish-futbollisti i njohur, Sulejman Mema.

Në fund të ndeshjes do të dorëzohet edhe një trofe simbolik për ekipin fitues. Për këtë vit, kjo do jetë miqësorja e tretë mes veteranëve të Shqipërisë dhe Kosovës. E para u zhvillua më 16 shkurt 2021, në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e dyta, më 23 korrik 2021, po në Prishtinë në ditën e lindjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.