Aktualitet

11 mijë vdekje shtesë nga fillimi i pandemisë koronavirus në Shqipëri!

Në Shqipëri, Tirana është qyteti më i goditur nga pandemia koronavirus përgjatë 9 muajve të këtij viti, sidomos në tremujorin e parë. Kjo u reflektua në një rritje të lartë të fataliteteve, në krahasim me periudhën para pandemike.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, për 9 mujorin 2021, në kryeqytet u shënuan 5.546 humbje jete, me një rritje të lartë prej 44% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, nga 31.5% që ishte mesatarja kombëtare. Edhe në raport me 9-mujorin 2020, vdekshmëria shtesë në Tiranë u rrit me 20%.

Mjeku pneumolog, Petrit Malaj:

Në Tiranë, numri i lartë i fataliteteve ka si arsye kryesore dendësinë e lartë të popullsisë në raport me qytetet e tjera, duke favorizuar përhapjen më të madhe të virusit. Dihet se në qendrat e mëdha urbane ku grumbullimet janë edhe më të larta, infektimet përhapen më shumë e për pasojë edhe fatalitetet janë më të mëdha. Në dy valët e tjera të pandemisë, Tirana kishte më pak fatalitete në raport me popullsinë, si pasojë e masave të larta kufizuese dhe ndërgjegjësimit më të lartë të qytetarëve për t’u mbrojtur në raport me ata në rrethe. Gjatë 2020-ës, në Tiranë virusi u përhap më shumë në zyrat, institucionet dhe qendrat e punës, si dhe kishte përhapje të lartë familjare, sidomos gjatë dimrit. Gjatë vitit 2021, masat kufizuese ishin më pak strikte dhe vigjilenca humbi te një pjesë e popullsisë në moshë, e cila është edhe më e rrezikuara nga pandemia.

Më e rënduar, situata në kryeqytet ishte në tremujorin e parë 2021. Gjatë janar-marsit të këtij viti u regjistruan 2.701 vdekje, me rritje prej 82% në krahasim me mesataren përkatëse 2016-2019. Në dy tremujorët në vijim, vdekshmëria shtesë ishte rreth 20% më e lartë se në periudhat përkatëse mesatare 2016-2019.

Vendin e dytë për rritjen e fataliteteve e mban Vlora, me +42.6%. Qyteti bregdetar vitin e kaluar kishte rritje të ulët të vdekshmërisë, ndërsa duket se vala e ka goditur këtë vit. Pas Vlorës renditet Fieri, me shtesë 40.3%, i ndjekur nga Durrësi me 34%. Shkodra dhe Lezha, të cilat vitin e kaluar shënuan rekordin e vdekshmërisë shtesë kanë regjistruar rritje më të ulët të fataliteteve këtë vit sesa qytetet e tjera (përkatësisht +31.8% dhe +27.5%). I vetmi qark që ka shënuar rënie të vdekshmërisë për 9 mujorin 2021 është Kukësi, ku fatalitetet u reduktuan me 3%.

Në vitin 2020, rritja më e lartë vjetore e fataliteteve ishte në Shkodër (+34%), Tiranë (+32%), Elbasan (31.3%), Shkodër (31%).

Që nga prilli 2020 kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë, në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019. Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT-it.

Për të gjithë 9-mujorin, në vend janë shënuar 21.471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-ës, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën sidomos në tremujorin e parë të këtij viti. Në krahasim me mesataren e 9 mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6%.

Sipas tremujorëve, shtesa më e lartë e jetëve të humbura ishte në tremujorin e katër 2020 (+3.380) dhe të parin 2021 (+3.322). Pandemia filloi të japë pasoja në humbjen e jetëve që në tremujorin e tretë 2020 (+1.684), ndërsa efektet vijuan të ndiheshin dhe në prill-qershor të këtij viti (+729) dhe korrik-shtator (+1.097).