Bota

11 viktima nga përmbytjet në Marche të Italisë/Kryeministri Draghi viziton zonat e goditura!

Kryeministri italian, Mario Draghi sot vizitoi rajonin Marche të goditur nga stuhia me rreshje shiu, që i ktheu në lumenj rrugët dhe shkaktoi të paktën 11 viktima mes Anconetano-s e Pesarese-s. Ende kërkohet për një fëmijë 8-vjeç autik, nëna e të cilit arriti të shpëtonte, si dhe për një grua 56-vjeçe.

Përmbytjet, shefi i qverisë së Romës i përshkroi “vdekjeprurëse” e “katastrofike”, ndërsa premtoi mbështetje për zonat e prekura. Deri në përballimin e emergjencës, presidenti i rajonit, Francesco Acquaroli u emërua komisioner i deleguar nga kreu i Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio. Po ashtu, Curcio firmosi urdhrin për akordimin e 5 milion eurove si ndihma të para urgjente. Familjeve me banesa të dëmtuara do t’iu ndahen nga 400 deri në 900 euro, si dhe iu kërkua bankave që përkohësisht të pezullojnë pagesën e kredive, si hapa të parë drejt ringritjes.

Pas thatësirës dhe nxehtësisë ekstreme të pranverës e verës, Italia është goditur nga stuhi të forta. Por situata aktuale në rajonin italian Marche, në bregdetin e Adriatikut, ka qenë më e keqja. Papa Françesku komentoi fatkeqësinë në një intervistë për gazetën “Il Mattino” dhe u bëri thirrje politikanëve që të shqyrtojnë arsyet e fenomeneve të tilla të motit. Ati i Shenjtë theksoi:

Përmbytja dramatike në rajonin Marche, e cila ka shkaktuar dhimbje, shkatërrim dhe dhimbje në të gjithë vendin, është prova tjetër se lufta për klimën meriton të njëjtën vëmendje si COVID-19 dhe konfliktet e armatosura.

Përtej Europës, moti i keq godet edhe në Azi. Mbi 4 milion njerëz u evakuan në Japoni, pas mbërritjes së tajfunit Nanmadol. Niveli i alarmit është në shkallën 4, pra të parafundit. Sinoptikanët dhanë alarmin për shira të rrëmbyeshëm dhe erë me shpejtësi deri në 250 km në orë. Deri nesër në mëngjes pritet të bien 600 milimetra shi.