Bota

116 ditë luftë në Ukrainë, shefi i NATO-s, Stoltenberg paralajmëron luftime të gjata!

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 116-të. Për Kievin zyrtar, negociatat me Moskën do të jenë të mundshme vetëm në fund të muajit gusht, pas një kundërofensive të forcave ukrainase. Ndërkohë është aktivizuar online, faqja në internet për të identifikuar dhe denoncuar kriminelët rusë të luftës.

Ndërsa Moska deklaroi se “Ukraina me kufijtë e njohur deri tani, nuk ekziston më”, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg doli me një paralajmërim për atë që po ndodh në Ukrainë:

Lufta mund të zgjasë me vite!

Shefi i administratës ushtarake të rajonit Lugansk, Serghei Gaidai vuri në dukje se rusët nuk po japin më të dhëna për kontrollin e Severodonjeckut.

Të gjitha deklaratat e rusëve se kontrollojnë Severodonjeckun, janë gënjeshtra! Po, kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit, por jo të gjithë qytetin. Tashmë nuk flasin më as për afate, asnjë nuk përmend data. Atyre, iu mjafton të thonë se detyra është të kapin plotësisht Severodonjeckun ose vetëm të ndajnë e të kontrollojnë Lysychansk-Bakhmut, ndaj po e bombardojnë, por nuk e kontrollojnë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky premtoi se do të rimarrë zonat në jug të Ukrainës, të pushtuara nga trupat ruse. Pas një vizite në frontin jugor, u shpreh:

Ne nuk do t’ia dorëzojmë jugun askujt! Gjithashtu, Ukraina do të rivendosë aksesin e sigurt në det.

Po ashtu, Zelensky u zotua se Kievi do të bëjë gjithçka për të rifilluar eksportet e ushqimit nga portet ukrainase, me ndihmën ndërkombëtare.

Trupat ruse pushtuan pjesë të mëdha të Ukrainës jugore, menjëherë pas fillimit të luftës, më 24 shkurt. Gjatë avancimit të tyre, pushtuan të gjithë bregun ukrainas, në Detin Azov dhe pjesë të bregut ukrainas të Detit të Zi. Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Një komandant rus deklaroi në prill, se Moska do të merrte nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore deri në rajonin e diskutueshëm të Transnistrisë, në Moldavinë fqinje.