Rajoni

117 afganë largohen nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar!

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, sot u larguan 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë. Konfirmohet se ata udhëtuan drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasada e Londrës në Prishtinë falenderoi Kosovën për bujarinë e treguar lidhur me strehimin shtetasve afganë. Jacob Webber, zv.ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë tha se është i gëzuar që qytetarët afganë u dërguan në vendin e tij dhe që ky operacion u krye me sukses.

Në Kosovë, ende janë të paktën 700 afganë, bashkëpunëtorë të NATO-s. Tashmë duhet të punojmë që t’i dërgojmë në shtete të tjera për strehim afatgjatë.
Ata kanë kaluar një situatë të rëndë dhe iu mbetet një distancë e shkurtër që ta kapërcejnë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë thonë se “të tilla operacione për dërgimin e shtetasve afganë në shtetet anëtare të NATO-s do të bëhen edhe ditët në vijim”.

Grupi i shtetasve afganë që u largua nga Kosova, strehohej në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Sipas ligjeve në fuqi, Kosova iu ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ku afganët e strehuar atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku janë të vendosur, në Kosovë zbatohen masa të rrepta sigurie.