Aktualitet

12 vjet burg policit që vrau të riun Klodian Rasha duke çuar në protesta!

Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi me 18 vite burg ish-efektivin Nevaldo Hajdaraj, duke e shpallur fajtor për vrasjen e të riut Klodian Rasha. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të kryejë 12 vite heqje lirie. Organi i akuzës kërkoi dënim me 20 vite burg dhe heqje të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë që Apeli vendosi të rrëzonte kërkesën e mbrojtjes për heqje të akuzës “Për vrasje me dashje”, me argumentin se u vetëmbrojt.

Kujtojmë se ish-efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, autor i vrasjes së të riut Klodian Rasha më 8 dhjetor të 2020-ës, apeloi vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës që e dënoi ish-policin e forcave “Shqiponja” me 15 vite burg.

Vrasja e Rashës ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, në kohën kur kishte kufizime të forta orari në kuadër të masave anti-COVID. I riu u qëllua për vdekje nga një distancë prej 5 metrash largësi. Pamjet e sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, tregonin qartë veprimin e ish-policit, i cili duket se u pozicionua për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që po ndiqte. Sipas grupit të hetimit, dallohej viktima që është larguar me vrap. Ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, ish-polici i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr drejt tij.

Hajdaraj u arrestua menjëherë, fillimisht me akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por hetimet zbuluan se vrasja u krye me dashje dhe se mund të ishte shmangur. Vrasja çoi në një valë protestash e tensionesh politike. Sandër Lleshaj dha dorëheqje si ministër i Brendshëm dhe në vend të tij u emërua Bledi Çuçi.

Ndërkohë, 25-vjeçari Klodian Rasha u shpall Dëshmor e familjes iu lidh pension i përhershëm.

Në një tjetër vendim, Gjykata e Elbasanit i caktoi 18 vite burg Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, i akuzuar për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2020, në qytetin e Elbasanit. Edhe për shokun e Sanxhaktarit, Adriano Hajdari u dha dënimi me 18 vite ndërsa prokuroria kishte kërkuar 20 vite heqje lirie. Dy bashkëpunëtorët e tjerë, Amadeus Lamçja e Mehmet Muça u dënuan me nga 5 vite heqje lirie “Për moskallëzim krimi”.