Rajoni

13 vite pavarësi, ende nuk dihet fati i kosovarëve të zhdukur nga masakrat e serbëve!

Kosova feston sot 13 vite pavarësi por ende nuk dihet fati i shumë qytetarëve të zhdukur në masakrat e ushtrisë serbe. Janë me dhjetëra familje që dëshmojnë se si paramilitarët u morën djemtë e rinj dhe fëmijët. Në shumicën e rasteve nuk dihet asgjë as sot e kësaj dite. Të mbijetuarit e genocidit serb shprehen të zhgënjyer që ende nuk ka drejtësi për jetët e humbura në këto masakra.

Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, uroi Kosovën në emër të Uashingtonit, për 13 vjetorin e Pavarësisë. Në një njoftim zyrtar, Blinken tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara theksoi se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.

13 vjetori i pavarësisë së Kosovës mblodhi në shesh mijëra qytetarë, pavarësisht situatës së pandemisë. Flamuri i Kosovës me ngjyrat e kaltër dhe verdhë, i shoqëruar me atë kombëtar kuqezi u panë në duart e shumë personave. Vetëm në Prishtinë, në tri sheshet kryesore festimet kulmuan edhe me valle nën shoqërimin e daulleve. Vetëm një javë më parë, Kosova lehtësoi masat e Koronavirusit, duke zvogëluar orën policore.