Rajoni

14 viktima nga zjarri në spitalin COVID, Tetova shpall tre ditë zie!

Në Maqedoninë e Veriut arriti në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që mbrëmë përfshiu spitalin për trajtimin e pacientëve me COVID. Për disa nevojitet të kryhen analiza ADN-je që të mund të identifikohen, ndërsa saktësohet se mes të vdekurve nuk ka personel mjekësor. Hetimet po zhvillohen nga prokuroritë e Tetovës e të Shkupit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet:

Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Prokurorët kanë lëshuar urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave që humbën jetën nga zjarri. Po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë. Disa do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për t’iu përcaktuar identitetin. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e viktimave.

Në spitalin e shkrumbuar në Tetovë, paraprakisht dyshohet se zjarri u përhap nga shpërthimi i bombolave të gazit apo të oksigjenit. Ekipet e zjarrfikësve shkuan në vendngjarje pesë minuta pas shpërthimit të fuqishëm. Në spital gjendeshin 26 pacientë me koronavirus, 12 prej tyre mbijetuan e mësohet se janë jashtë rreziku për jetën Pas mbledhjes së Shtabit të Krizës në mesnatë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se pret që institucionet të zbardhin rastin.

Ndërkaq, Këshilli i Komunës vendosi paradite që në Tetovë të shpallen tre ditë zie. Arifi u shpreh se do të ndihmojnë familjet e të dëmtuarve me fondet emergjente.

Sot po zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e kryeministrit Zoran Zaev. Shefi i ekzekutivit ishte mbrëmë në Tetovë për t’u njohur nga afër me pasojat e tragjedisë në spitalin e djegur dhe tha se nuk mund të shprehen pa u bërë ekspertiza e nëse më parë nuk flasin prokurorët. Muajin e kaluar, në spitalin e djegur ishte raportuar për dëmtim të instalimeve të oksigjenit.