Aktualitet Politikë

1425 delegatë në Kuvendin Kombëtar të PD-së/Berisha: “Ditë me rëndësi të madhe!”

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po zhvillon punimet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga ish-kryeministri Berisha, i cili në një prononcim të shkurtër për gazetarët, para hyrjes në sallë e cilësoi të sotmen, “ditë të një rëndësie të madhe”.  Punimet u shënuan nga një rikthim i atyre që i ka patur bashkëpunëtorë, përfshirë Jozefina Topallit, e cila tha për mediat se “vendit i nevojitet opozitë reale”.

Kurrë më shumë se sot vendi nuk ka pasur nevojë për opozitë reale dhe opozitë të vërtetë. Ne duhet t’u rikthemi vlerave dhe pushtetit moral. Opozita duhej të ishte pushtet moral. Sot është një moment kyç kur PD mund të kthehet te vlerat e saj. Nuk është hera e parë që PD është gjendur në vështirësi, por nuk jemi tërhequr, pasi kemi besuar.

Edhe pa qenë deputete, pa qenë në PD, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën. E vërteta është forca e çdo njeriu. E vërteta është liria e individit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta. E rëndësishme është që bashkimi të bëhet mbi vlerat. Kërkohet një opozitë reale, jo një opozitë false. Sot është dita për të bërë opozitë, prandaj jam këtu.

Mes të rikthyerve, të pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve janë edhe Arben Imami e Rudina Hajdari. Sa i përket deputetëve, Ina Zhupa zgjodhi të jetë e pranishme e kishte edhe një mesazh:

Shpresoj dhe ndaj po vij, që të bëjmë gjithçka është e mundur drejt bashkimit. Përballë Edi Ramës fitojmë po të jemi të bashkuar. Erdha këtu si një shenjë bashkimi. Eshtë një proces dhe kjo duhet të jetë një shtyrje për të gjithë deputetët që të lënë pas sedrën e të bëjnë një hap drejt bashkimit për të fituar përballë Edi Ramës. Demokratët mund të bashkohen me vullnet. Përderisa e kanë vullnetin, le ta shprehin!

Me propozim të Komisionit të Rithemelimit dhe delegatëve janë zgjedhur drejtuesit e Kuvendit Kombëtar të PD-së. Në përbërje të Komisionit të Drejtimit të Punimeve janë Albana Vokshi, Edmond Spaho, Ervin Minarolli, Ivi Kaso e Belind Këlliçi. Në Sekretariatin Teknik janë zgjedhur Ledio Nuraj, Minushe Lazaj e Nadja Daullja. Në sallë janë 1 mijë e 425 delegatë nga 1 mijë e 800 të thirrur gjithsej. Këlliçi deklaroi:

Për këtë arsye deklaroj zyrtarisht çeljen e punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe aftësinë vendimmarrëse të tij. Kuvendi është thirrur në mënyrë të rregullt, sipas statutit të PD-së.