Bota

145 emigrantë notojnë nga Maroku në Spanjë!

Të paktën 145 emigrantë notuan nga Maroku drejt Ceutës në Spanjë të ndihmuar dhe nga goma makine. Sipas BBC shumica ishin meshkuj por në mesin e tyre janë edhe dy familje të plota.

Mediat spanjolle thonë se rojet bregdetare marokene thjesht rrinin e vështronin teksa emigrantët i hynin rrugëtimit tejet të rrezikshëm. Dy enklavat spanjolle të Ceutës dhe Melilla-s janë kthyer në magnete për emigrantët afrikanë që kërkojnë një jetë më të mirë në Europë.

Një pjesë e atyre që mbërritën në Ceuta muajin e kaluar u kthyen mbrapsht, me përjashtim të 30 të miturve, mosha e të cilave u konfirmua nga analizat mjekësore. “Prurjet” nga deti vijnë në një moment tensionesh në marrëdhëniet e Marokut me Spanjën.

Autoritetet marokene janë të zemëruara nga fakti që lideri i frontit Polisario, një grupim i cili lufton prej dekadash të tëra për pavarësinë e Saharasë Perëndimore së fundi është shtruar dhe po merr trajtim në një spital spanjoll.